2009-09-28 16:12:34

Benedikti XVI të rinjve në Meshën për festën e shën Vençeslaut: lumturia e vërtetë është në Krishtin, pushteti i botës është i trishtë dhe jetëshkurtër


(28.09.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundoi sot shtegtimi apostolik i Papës Benedikti XVI në Republikën Çeke, pikërisht në festën kushtuar shën Vençeslaut, martir, Pajtor i kombit. E Mesha e paradites në solemnitetin e sotëm liturgjik ishte edhe pika kulmore e vizitës së Atit të Shenjtë, në një vend me tradita të lashta të krishtera, por aktualisht, me një ateizëm që përhapet me shpejtësi. Por ndoshta diçka po ndryshon. U pa nga gazetat, që fillimisht folën ftohtë për Papën, por gradualisht mbushën faqet me veprimtarinë e Benediktit XVI e me vlerësime për të.
Para se të kremtonte meshën para 45 mijë vetëve, në Stara Boleslav, vendi i martirizimit të shën Vençeslaut, Papa nderoi reliket e shenjtit në Bazilikën që i kushtohet. Më pas nënvizoi se pushteti i botës është jetëshkurtër e sjell veç trishtim: vetëm Krishti dhuron lumturinë e vërtetë, që mbetet përgjithmonë. Nga Praga, të dëgjojmë informacionin e të dërguarit të Radio Vatikanit, Serxho Çentofanti:
Një lloj Ditë Botërore e Rinisë e Evropës qendro-lindore: kështu u paraqit Mesha në Stara Boleslav. Dhjetra mijëra, të rinjtë e ardhur nga e gjithë Çekia e edhe nga Sllovakia, Polonia, Gjermania dhe Austria. Shumë kaluan këtu gjithë natën, me këngë, adhurim eukaristik e rrëfime. E megjithëse njerëzit ishin të shumtë, Mesha u kremtua me seriozitet, me shumë çaste heshtjeje e lutjeje. Papa i ftoi të gjithë të imitojnë shën Vençeslaun, mbretin bohem, i cili dha jetën për të ndjekur me besnikëri Krishtin. Por a është akoma aktual shenjtërimi i jetës – pyeti Ati i Shenjtë. Në këtë moment kërkohen më tepër suksesi e lavdia njerëzore, të cilat – nënvizoi Benedikti XVI – janë jetëshkurtër, siç e ka treguar historia e kësaj toke, ku të pushtetshmit kanë rënë njëri pas tjetrit, pavarësisht se dukej sikur s’do të kishin fund:
“Kush mohon e vazhdon të mohojë Zotin e, për pasojë, nuk respekton njeriun, duket sikur e ka të lehtë për të pasur suksese materiale. Por mjafton ta gërvishim pak sipërfaqen për të parë se këta janë persona të trishtuar e të pakënaqur. Vetëm kush ruan në zemër të shenjten “frikë të Tënzot” ka besim edhe tek njeriu dhe e kalon jetën duke ndërtuar një botë më të drejtë e më vëllazërore”.
Sot – tha Papa – ka nevojë për njerëz besimtarë e të besueshëm, të gatshëm për t’u flijuar, për të përhapur idealet e krishtera. Është ajo rruga “e ngushtë” e shenjtërisë, që na ka treguar Krishti: “Kush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, të marrë kryqin e të më ndjekë”:
“Sigurisht është gjuhë e ashpër, e vështirë për t’u pranuar e për t’u vënë në praktikë, por dëshmia e shenjtorëve dhe e shenjtoreve na siguron se kjo është e mundur për të gjithë, nëse besojmë dhe e lemë veten në dorë të Krishtit. Shembulli i tyre u jep guxim të krishterëve për të qenë të besueshëm, pra, koherent me parimet e fenë, që shpallin. Me të vërtetë, nuk mjafton të dukemi të mirë e të ndershëm; duhet të jemi me gjithë mend të tillë. Dhe i mirë e i ndershëm është ai që nuk e mbulon me vetveten dritën e Zotit, nuk vë përpara veten, por lë që të duket Zoti”.
Ky është leksioni që na jep shën Vençeslau, mbret që pati guximin të vinte përpara Mbretërinë e Qiellit, më tepër se pushtetin tokësor. Ndërtoi kisha, ndihmoi të varfërit, mbrojti vejushat, nuk toleroi padrejtësitë. E në fund, e fali të vëllanë, para se ky të jepte urdhër ta vrisnin, për t’i marrë fronin:
“Vençeslau vdiq si martir për Krishtin. Është interesant të vihet re se vëllai Boleslav, duke e vrarë, arriti të hipë në fronin e Pragës, por kurora mbretërore që pasardhësit e tij do të mbanin në kokë nuk mban emrin e tij. Mban emrin e Vençeslaut, duke dëshmuar se ‘froni i mbretit që i gjykon të varfërit me drejtësi mbetet në amshim”.
Në përfundim të Meshës, Benedikti XVI iu drejtua të rinjve të shumtë, të pranishëm në Stara Boleslav. “Me ju – u tha atyre – edhe Papa ndihet i ri”. U foli për aspiratën e arritjes së lumturisë, që shpesh, shoqëria e konsumit e shfrytëzon për keq. E nuk janë pak ata që tërhiqen nga mirazhi i parajsës artificiale, për t’u zhytur më pas në vetmi të trishtë. Ati i Shenjtë i ftoi të rinjtë të shohin përvojën e shën Agustinit, i cili kërkonte lumturinë dhe e gjeti te Krishti. Në të vërtetë, sqaroi Papa Racinger, e kuptoi më vonë se është Jezusi ai, që na kërkon e troket në derën tonë për të na bërë të lumtur:
“Feja e krishterë është kjo: takimi me Krishtin, Njeri i gjallë, që i jep jetës një horizont të ri e me të, drejtimin vendimtar. E kur zemra e të rinjve hapet para planit të tij hyjnor, nuk mungon ta njohë e ta ndjekë zërin e Tij. Me të vërtetë, Zoti e thërret secilin me emër e secilit dëshiron t’i besojë një mision të veçantë në Kishë e në shoqëri”.
Papa u bëri thirrje të rinjve të krijojnë familje të krishtera e të shenjta. E me rastin e Vitit Meshtarak, kërkoi që ata të jenë të gatshëm për t’ju përgjigjur thirrjes së Jezusit për rrugën e meshtarisë, apo të jetës së shuguruar. Kisha – tha Benedikti XVI – ka nevojë për meshtarë të shumtë e të shenjtë, për persona që e venë veten krejtësisht në shërbim të Krishtit, Shpresa e botës:
“Shpresa! Kjo fjalë, që e përmend shpesh, shkon mirë me rininë. Ju, të dashur të rinj, jeni shpresa e Kishës! Ajo pret që ju të bëheni lajmëtarë të shpresës, siç ndodhi vitin e kaluar, në Australi, për Ditën Botërore të Rinisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.