2009-09-28 16:14:10

Atë Federiko Lombardi: Benedikti XVI i lumtur për pritjen që iu bë. Shtegtimi apostolik në Republikën Çeke ia arriti qëllimit.


(28.09.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundoi, pra sot vizita e Atit të Shenjtë Benediktit XVI në Republikën Çeke. Udhëtimi i XIII apostolik ky, i cili sipas Atë Federiko Lombardit, drejtor i Radio Vatikanit dhe zëdhënës i Sallës së Shtypit të Selisë Shenjte, ia arriti synimit që kishte. Por cilat janë përfundimet e këtij shtegtimi apostolik në zemër të Evropës Qendrore? Le të ndjekim Atë Federiko Lombardin në mikrofonin tonë:

Përgjigje: Më duket se udhëtimi shkoi më së miri, duke ia arritur edhe qëllimeve të ndryshme që kishte, si për sa i përket nxitjes së Kishës çeke që të ecë në gjurmët e Krishtit, ashtu edhe për sa i përket marrëdhënieve të mira ndërmjet Kishës dhe shoqërisë, me të cilët Papa u takua duke shfaqur kështu gjithë miqësinë e tij për popullin çek por edhe për të gjithë popujt e tjerë evropianë.

Pyetje: Si e përjetoi Papa Racinger këtë udhëtim në Republikën Çeke?

Përgjigje: Papa qe me të vërtetë shumë i lumtur për këtë shtegtim. Përjetoi miqësinë, përzemërsinë e shoqërisë në përgjithësi, por që u shpreh edhe nëpërmjet përfaqësuesve legjitimë, nga autoritetet e popullit çek. Po ashtu pa edhe dashurinë e besimtarëve të shumtë që morën pjesë në dy kremtimet e mëdha, në atë të Bërnos, në Moravi dhe në atë të festës së Shën Vençeslaut.


Pyetje: Një nga thirrjet më të rëndësishme të Papës qe edhe nxitja për të rizbuluar rrënjët e krishtera. Një mesazh ky jo vetëm për çekët, por për të gjithë evropianët, apo jo?

Përgjigje: Patjetër. Siç e dimë, kjo është një nga temat më të dashura për Papën. Vë në dukje rëndësinë e jashëzakonshme që ka patur krishterimi për qytetërimin evropian, pika referimi këto që nuk duhen harruar në këto kohë, kur shumë gjëra po ndryshojnë në shoqëri e në ekonomi. Por edhe sepse qytetërimi evropian duhet të vazhdojë të japë ndihmesën e vet në shërbim të dinjitetit të njeriut, të demokracisë e të lirisë të krejt njerëzimit. Më duket se Papa në këtë shtegtim përdori një shprehje të re duke e quajtur Evropën “shtëpi”. Besoj se kjo ndihmon të kuptohet sesi Evropa duhet të jetë një vend i Shpirtit, një vend në shërbim të njerëzimit dhe të vlerave që jetojnë gjatë në kohë.

Pyetje: Papa preku edhe temat e mëdha të papnisë së tij: fenë dhe besimin, dashurinë dhe lirinë në të vërtetën dhe mbi të gjitha temën e madhe të shpresës…

Përgjigje: Po, një temë që solli shumë gëzim në këtë udhëtim. Mendoj se kjo është përgjigja e madhe pyetjes që shtron shumëkush: çfarë mund të bëjë Kisha në një shoqëri në të cilën shekullarizimi është kaq shumë përpara, në të cilën shumë individë duket se janë mospërfillës ndaj besimit fetar dhe nuk e mbajnë veten për fetarë e nuk kanë asnjë marrëdhënie me Zotin. Ja, pra mendoj se dëshmia e shpresës është një pikë më shumë në favor të besimtarëve: një drejtim në të cilin duhet impenjuar jeta, në të cilin duhet drejtuar shikimi e nëse në një kohë afatshkurtër nuk duket rezultati, në një kohë afatgjatë kjo shfaqet si temë kryesore. Vetë fakti se Papa e përfundoi udhëtimin e tij me një bisedë me të rinjtë - që janë pikërisht lajmëtarët e shpresës të së nesërmes, - më duket se i dha një ngjyrim shumë të bukur rëndësisë themelore të kësaj teme.

Pyetje: Cilat janë frytet që ky shtegtim mund t’i japë Kishës vendase, të impenjuar në një shoqëri tepër të shekullarizuar, por që me pjesëmarrjen në Meshë tregoi se ka edhe një bashkësi të gjallë e të rëndësishme besimtarësh?

Përgjigje: Mendoj se frytet janë ato që sjellin gjithmonë takimet me pasardhësin e Shën Pjetrit, dmth ngushëllimi i fesë, konfirmimi në fé, në jetën e krishterë e si rrjedhojë nxitja për ta jetuar jetën si të krishterë, cilado qofshin situatat rreth nesh. Kjo është diçka shumë e vlefshme jo vetëm për bashkësinë katolike, por edhe për bashkësinë e besimtarëve në kuptimin e ngushtë të fjalës si edhe për shoqërinë në të cilën kjo vepron.







All the contents on this site are copyrighted ©.