Të ringjallet shpresa: editorial i atë Lombardit mbi shtegtimin e Papës në Republikën
Çeke
(27.09.2009 RV)Shtegtimi apostolik
i Benediktit XVI në Republikën Çeke u sjell shpresë jo vetëm besimtarëve, por krejt
popullit çek. Mbi këtë shpresë, rrënjosur në Krishtin, ndalet në editorialin e sotëm
drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë: “Unë
nuk e di se ç’është mrekullia, Por nëse ajo ekziston, është kjo. Pak muaj më parë,
isha në burg e tani po pres këtu në Pragë Papën e Kishës Katolike”. Kështu i thoshte
Vaclav Havel Papës Gjon Pali II më 21 prill 1990, në udhëtimin e tij të parë në Republikën
Çeke, i pari edhe në një vend postkomunist, pas rënies së murit të Berlinit. Kohë
horizontesh të reja e shpresash të mëdha. Një shoqëri për t’u rindërtuar në liri e
me përgjegjësi. Po i njëjti Papë u kthye në këtë vend edhe dy herë të tjera për të
përsëritur e ofruar mesazhet e tij të mëdha. Historia vazhdoi të ecte përpara, por
a janë realizuar shpresat e atëhershme? Ndoshta, pjesërisht po. Sigurisht, pjesërisht
jo ose akoma jo. Kanë kaluar njëzet vjet dhe Pasardhësi kthehet në Pragë.
Sigurisht që flet për shpresë: është një temë e dashur dhe familjare për të, pasi
u përgjigjet aspiratave më të thella të njerëzimit në këto kohë. Në enciklikën e tij
mbi shpresën, Papa ka bërë një dallim të madh ndërmjet shpresës “së vogël” e asaj
“të madhe”, që mund t’i japë kuptim e shpirt të gjitha të tjerave, në mënyrë që të
mos humben e të mos thahen. Shpresa e madhe mund të shohë e të shkojë larg, sepse
ka një bazë të fortë, që nuk duhet harruar, mënjanuar ose më keq akoma, mohuar. E
kemi fjalën për Zotin. Duke u kujtuar për të mund të kontribuojmë në ringjalljen e
shpresës së madhe.