Të rikthehemi tek ideja e formimit të gjithanshëm të rinisë: kështu Ati i Shenjtë
me botën akademike në Pragë
(27.09.2009 RV)E këtë trashëgimi
të krishterë, Benedikti XVI pati rastin ta përmendte sërish në takimin me botën akademike
në Kështjellën e Pragës. Kujtojmë se në kryeqytetin çek ndodhet Universiteti i Karlit
të Pragës, i themeluar nga Karli IV në vitin 1348, ateneu më i lashtë i Evropës Qendrore.
Papa kujtoi se hapja e universitetit u bë e mundur përmes bulës papnore të Klementit
VI. Ishte puna e misionarëve të krishterë, që vunë në bazat e mësimdhënies e të kulturës
Ungjillin, ajo që krijoi bashkimin shpirtëror e kulturor të Evropës, i cili vazhdon
edhe sot. Benedikti XVI, duke pranuar autonominë e universitetit në vetvete, sqaroi
se ajo e gjen kuptimin në përgjegjësinë ndaj së vërtetës. Kërcënimi i autonomisë,
provuar gjatë totalitarizmit komunist, por edhe nga ideologjitë materialiste të sotme,
nuk mund ta pengojë njeriun të kërkojë lirinë e të vërtetën. Prandaj, detyra e universitetit
e misioni i tij është formimi i gjithanshëm i të rinjve, që t’u japë atyre dije e
norma etike për jetën. “Duhet të rikthehemi tek ideja e një formimi të gjithanshëm
– theksoi Ati i Shenjtë – bazuar mbi unitetin e dijes së rrënjosur në të vërtetën.
Kjo mund t’i kundërvihet prirjes, kaq të përhapur në shoqërinë bashkëkohore, drejt
fragmentimit të njohurive”. Kërcënime të reja ka sot mbi botën universitare,
denoncoi Papa. Me ndarjen ndërmjet arësyes e kërkimit të së vërtetës e me relativizimin
që vjen prej kësaj, është rritur presioni mbi universitetet që të ndjekin interesat
e grupeve të veçanta ideologjike dhe objektiva pragmatike afatshkurtër. Por ç’mund
të ndodhë – pyeti Benedikti XVI – nëse kultura jonë do të ngrihej vetëm mbi argumente
të modës? Në këtë situatë, Papa i ftoi akademikët të punojnë e të formojnë rininë.
Ati i Shenjtë vuri në dukje se aftësia për të kërkuar e për ta njohur të vërtetën
përbën madhështinë e njeriut dhe është premisa e lirisë së tij. Besimi në këtë aftësi
është rruga për të luftuar relativizmin dhe skepticizmin, që i shpërndajnë forcat
e nevojshme për të ndërtuar një të ardhme të denjë për njeriun. Nesër, vizita e
Papës në Republikën Çeke do të arrijë kulmin me Meshën për festën kombëtare të Pajtorit
të çekëve, shën Vençeslaut. Papa do të shkojë në Stara Boleslav, vend i martirizimit
të shenjtit, nga ku do t’u flasë edhe të rinjve, me një mesazh të menduar vetëm për
ta.