2009-09-27 18:27:02

Imzot Ravazi: Si mund t’i mbrojmë të rinjtë prej tërheqjes nga seksualiteti i gabuar?


(27.09.2009 RV)RealAudioMP3 Pjesa e fundit e intervistës sonë me kryetarin e Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Xhanfranko Ravazi, ku ai trajton temën e kulturës rinore në botën e globalizuar, sidomos qëndrimin që mbajnë të rinjtë ndaj seksit e punës që mund të bëhet me ta.
Pyetje: - Si mund t’i mbrojmë të rinjtë prej tërheqjes nga seksualiteti i gabuar?

Përgjigje: - Mendoj se duhet të rikthehemi tek problemi i komunikimit, i edukimit, i formimit. Duhet të rikthehemi tek humaniteti i vërtetë, me tri hallka, që nuk duhen këputur kurrë. Shoqëria e sotme i ka këputur. I këput. Hallka e parë është seksualiteti. Seksi, sipas një thënieje të mesjetës, ‘est bunum donum Dei” – ‘seksualieti është dhuratë e bukur e Zotit’. Seksualiteti është zanafilla e krijimit të një njeriu të ri, është element biologjik i fillesës së njeriut. Ndjeshmëria seksuale është element themelor për jetën e njeriut, e edhe për atë të kafshës. Por duhet pasur parasysh se njeriu është i aftë për një hallkë të dytë, që e bën seksin shumë më të bukur, më të vërtetë e kjo hallkë është erosi. Po eros-i ç’është? Është zbulimi i bukurisë së njeriut tjetër, estetikës, dashurisë, fantazisë, ndjenjës, pasionit. Erosin e gjejmë në Këngën e Këngëve, në të cilën kundrohet lirisht bukuria trupore e vashës dhe e trimit. Kafsha nuk e njeh erosin: erosi është poezi, është fantazi, është krijimtari. Po kjo nuk mjafton, sepse në eros njeriu tjetër konsiderohet akoma si një objekt i bukur, me të cilin mundesh ose jo të kesh një lidhje të veçantë. E këtu kujtojmë hallkën e tretë, që është dashuria. Dashuria është hareja e plotë e komunikimit, e bashkimit, sy për sy, e dhimbjes dhe e gëzimit, që i komunikohen tjetrit. Është ajo që thotë vasha e Këngës së Këngëve: “I përkas të dashurit tim; i dashuri im – vetëm mua!” (Kk 6,3), domethënë, kemi të bëjmë me dhurimin e plotë, deri në atë pikë sa dy njerëz të bëhen një njeri i vetëm. Aq sa të themi: “Unë jam ti”. Ja, pra, mendoj se duhet të jetë shkolla, nuk po them feja, ajo që duhet t’ua mësojë të rinjve t’i ruajnë këto tri hallka. E atëherë do ta kuptonin se nuk është fjala për mohimin e seksualitetit, për ta zevendësuar me parimin e një forme të asketizmit; por nga ana tjetër, nuk është as kufizim në një mbrapshti materiale, siç është pornografia, që është thjeshtë mish, materie, si mishrat e varura në çengel tek kasapi, e nuk e ka në vetvete asnjë thërrime nga krijimtaria e nga bukuria e dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.