2009-09-27 15:50:53

Ditë historike në Brno. Papa: Krishti është e vetmja shpresë e sigurtë. Pa Zotin, njerëzimi shkon drejt rrugëve absurde.


(27.09.2009 RV)RealAudioMP3 Të krishterët duhet t’i kujtojnë Evropës rrënjët e saj të krishtera. Kjo mund të ishte fraza përmbledhëse e ditës së dytë të shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Republikën Çeke. Tri, çastet kryesore: Mesha e Lutja e Engjëllit të Tënzot në Brno, takimi ekumenik në Kryeipeshkvinë e Pragës dhe takimi me botën akademike në Kështjellën e kryeqytetit çek.
Meshë e ndjerë në Brno, ku morën pjesë rreth 150 mijë besimtarë, të ardhur edhe nga Sllovakia, Polonia, Gjermania, Hungaria e Austria. Takimi më i madh fetar në historinë e Republikës Çeke. Është hera e parë që Papa vjen në këtë qytet, i dyti për nga numri në Çeki. Në fillim, një meshtar u shpjegoi njerëzve dëshirën e Papës, që të ndiqej në heshtje, pa duartrokitje e valëvitje flamujsh. Dëshira u prit shumë pozitivisht nga besimtarët, të cilët akoma i kujtojnë duartrokitjet e detyruara të regjimit komunist. Pranë eleterit qe vendosur Zoja e Drunjtë me Fëmijën në krah nga Shenjtërorja e Turanit, e ashtuquajtura Zoja e Gjembave, ngushëllim për ata që provojnë dhimbje e vështirësi. Papa tha se Jezusi ka ardhur për t’u shpallur lirinë e gëzimin të gjithë të mjerëve e të varfërve. Krishti është e vetmja shpresë e sigurtë e besnike, për të cilën ka nevojë bota, Evropa e njerëzimi mbarë:
“Përvoja e historisë tregon se në ç’absurditete arrin njeriu, kur e përjashton Zotin nga horizonti i vendimeve e veprimeve të veta, e se si nuk është e lehtë të ndërtohet një shoqëri e frymëzuar nga vlerat e së mirës, e drejtësisë e të vëllazërimit, pasi megjithëse njeriu është i lirë, liria e tij mbetet e brishtë. Atëherë, liria duhet rifituar për të mirën dhe kërkimi jo i lehtë i “rendit të drejtë për gjërat njerëzore” është detyrë që u takon të gjitha brezave”.
Shpresa e vërtetë – vazhdoi Ati i Shenjtë – realizohet me vdekjen e ngjalljen e Jezu Krishtit, por kultura e sotme e ka lënë fenë thjesht në planin privat, ose të mbinatyrshëm, ndërsa në jetën konkrete publike ia le vendin përparimit shkencor dhe ekonomik. Por, pavarësisht se zhvillimi teknik e përmirësimet shoqërore janë të nevojshme – theksoi Papa – ato nuk mjaftojnë për të garantuar mirëqënien morale të shoqërisë:
“Njeriu ka nevojë të çlirohet nga pesha e gjërave materiale, por edhe më shumë, duhet të shpëtohet nga të këqiat që i brengosin shpirtin. E kush mund ta shpëtojë nëse jo Zoti, që është dashuri dhe e ka zbuluar fytyrën e vet si Atë i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm në Jezu Krishtin? Shpresa jonë më e fortë është pra Krishti: në Të, Zoti na ka dashur deri në skaj e na ka dhënë jetën me plotësi, atë jetë që çdo person, nganjëherë edhe pa vetëdije, e dëshiron me gjithë shpirt”.
Papa kujtoi se shumë kanë vuajtur për t’i qëndruar besnikë Ungjillit e nuk e kanë humbur shpresën; të tjerë janë flijuar për t’i dhënë dinjitet njeriut e lirinë popujve. Të gjithë e kanë gjetur te Krishti forcën për të shikuar drejt një lloji të ri njerëzimi:
“Edhe në shoqërinë e sotme, ku shumë forma varfërie lindin nga izolimi, nga padashuria, nga refuzimi i Hyjit e nga mbyllja tragjike në vetvete e njeriut, që mendon se vetja i mjafton, ose mendon se është vetëm diçka pa rëndësi e kalimtare; në këtë botën tonë që tjetërsohet ‘kur u beson vetëm projekteve njerëzore’ (cfr. Caritas in Veritate, 53), vetëm Krishti mund të jetë shpresa jonë e sigurtë. Ky është lajmi që ne të krishterët duhet ta përhapim çdo ditë, me dëshminë tonë”.
Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI përshëndeti shtegtarët e ardhur nga vende të ndryshme përreth Republikës Çeke, shumë prej të cilëve ishin lutur gjithë natën, para fillimit të Meshës. Të gjithë i ftoi të mos qëndrojnë indiferentë para atyre që kërkojnë të vërtetën, dashurinë dhe jetën e vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.