2009-09-27 18:13:11

Benedikti XVI në takimin ekumenik në Pragë: Të krishterët të bashkohen për t’i kujtuar Evropës rrënjët e saj.


(27.09.2009 RV)RealAudioMP3 Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Benedikti XVI u kthye në Pragë, ku pasdite u takua me Këshillin Ekumenik të Republikës Çeke në selinë e kryeipeshkvisë. Katolikët përbëjnë 30% të popullsisë, ndërsa besimtarët e tjerë të krishterë 7%. Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet tyre? Të dëgjojmë ipeshkvin e Plezhnjit, imzot Frantishek Radkovski, përgjegjës për ekumenizmin në Konferencën Ipeshkvnore Çeke:
Janë shumë të mira, pasi tani është e qartë për të gjithë të krishterët se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm. Thuhet se jemi një vend ateist: rreth 20% e popullsisë e deklaron veten ateiste, 20% të tjerë mund të themi se janë të pavendosur, nuk i përkasin asnjë feje. Përsa i përket ekumenizmit, Kisha Katolike, Kisha Evangjelike, Vëllezërit Bohemë, Kisha kombetare husite dhe Kisha ungjillore e Slesias njohin Sakramentin e Pagëzimit që bëhet në simotrat e krishtera. Kemi bashkëpunuar pozitivisht edhe në tratativat ndërmjet Shtetit e Kishës për pronat që u janë marrë bashkësive kishtare nga regjimi komunist. Marrëveshja nuk u pranua nga parlamenti, por qe shenjë e bashkimit ndërmjet Kishave. Edhe në planin praktik kemi veprimtari të përbashkëta inkurajuese.
Pikërisht këtyre Kishave u foli Papa, duke u kërkuar të bëjnë autokritikë e ta pyesin sërish veten se ç’kontribut mund të sjellë Ungjilli në Republikën Çeke e në mbarë Evropën:
“Krishterimi ka shumë për të ofruar në planin praktik e moral… Ai ofron shëlbimin… Ai e kupton dëshirën e zjarrtë për pajtim e bashkim, që buron spontanisht në thellësi të shpirtit njerëzor. Është e vërteta qendrore e Ungjillit… Dhe është kriteri në të cilin fokalizohen gjithnjë të krishterët, në impenjimin e tyre për të shëruar plagët e ndarjet e së kaluarës”.
Papa përmendi Jan Husin dhe kuvendin e organizuar në vitin 1999 nga Papa Gjon Pali II për të kuptuar më mirë arësyet e dënimit e të djegjes së tij në turrën e druve, me të gjitha pasojat tragjike të luftrave që përfshinë territoret çeke. Ati i Shenjtë kërkoi që nisma të tilla të përsëriten, duke u dhënë kështu përgjigje edhe parrullave e njerëzve, që kërkojnë rehabilitimin e teologut.
Por edhe ngjarjet e lidhura me Jan Husin tregojnë se krishterimi ka ndikuar e vashdon të ushqejë jetën publike të Evropës. Këtu, Papa u bëri thirrje të krishterëve të bashkohen, pikërisht për t’i kujtuar Evropës rrënjët e saj të vërteta:
“Kur Evropa dëgjon historinë e krishterimit, dëgjon historinë e vet. Konceptet e saj të drejtësisë, lirisë e përgjegjësisë shoqërore, sëbashku me institucionet kulturore e juridike të ngritura për t’i mbrojtur këto ide e për t’ua përçuar brezave të ardhshëm, janë brumosur nga trashëgimia e saj e krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.