2009-09-26 18:24:32

Të përdoret me mend liria e fituar pas komunizmit: kështu Papa autoriteteve civile dhe Trupit Diplomatik në Ceki. Evropa të rizbulojë rrënjët e krishtera.


(26.09.2009 RV)RealAudioMP3 I përqëndruar tek kuptimi dhe përdorimi i lirisë së fituar pas komunizmit, fjalimi që mbajti Papa Benedikti XVI para Autoriteteve Civile e Trupit Diplomatik në kështjellën madhështore të Pragës. Ati i Shenjtë theksoi se nuk mjafton ta fitosh lirinë, por duhet ditur si të përdoret ajo, në mënyrë që të kuptohet qëllimi i saj i fundmë. E në Republikën Çeke të shekullarizuar, ku ateizmi është shumë i përhapur, Papa shpjegoi se liria është ngushtësisht e lidhur me fenë e realizohet në rinovimin shpirtëror të kombit çek e të Evropës, që është përgjegjësi e të gjithëve:
“Përgjegjësia e madhe për ta mbajtur lart ndjeshmërinë për të vërtetën dhe të mirën bie mbi këdo ushtron rol udhëheqës: në fushën fetare, politike ose kulturore, secili sipas mënyrës së vet. Sëbashku duhet të impenjohemi në luftën për lirinë e në kërkimin e së vërtetës: ose këto dy gjëra shkojnë bashkë, dorë për dore, ose sëbashku mjerisht humbasin”.
Benedikti XVI tha se për të krishterët liria dhe e vërteta nuk janë një ide, por një person. E vërteta, nënvizoi Papa, është Zoti dhe e mira ka fytyrën e Jezu Krishtit. Feja e krishterë ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në krijimin e pasurive shpirtërore e kulturore jo vetëm të Çekisë, por të krejt Evropës, e cila sot më shumë se kurrë, ka nevojë t’u referohet rrënjëve të saj të krishtera.
Praga është qendra gjeografike e Evropës, por Ati i Shenjtë theksoi se “zemra” e vërtetë e Evropës është pikërisht tashëgimia e vlerave kulturore, shpirtërore, humanistike që lindën me krishterimin, si edhe vizioni mbi njeriun e shoqërinë që rrjedh prej tyre:
“Evropa është më shumë se një kontinent. Është një shtëpi!...një atdhe shpirtëror. Duke respektuar plotësisht dallimin ndërmjet sferës politike e asaj fetare – dallim që garanton lirinë e qytetarëve për të shprehur fenë e për të jetuar në sintoni me të – dëshiroj të nënvizoj rolin e pazëvendësueshëm të krishterimit për formimin e ndërgjegjes së çdo brezi dhe për nxitjen e një konsensusi bazë etik, në shërbim të çdo njeriu që e quan këtë kontinent “shtëpi”!”
Kjo Evropë duhet të kujdeset më shumë për të rinjtë, sidomos për formimin e tyre intelektual, njerëzor e shpirtëror. Papa përmendi moton e flamurit presidencial të Republikës Çeke, “Veritas Vincit” (E vërteta ngadhnjen), duke inkurajuar një dialog që shkon përtej interesit personal. Historia, tha Benedikti XVI, ka treguar se e vërteta mund të manipulohet nga ideologji të rreme, por edhe nga relativizmi i sotëm, i cili përpiqet të mohojë kërkimin e së vërtetës absolute. Duhet të kemi besim te shpirti i njeriut e ky besim duhet t’ju udhëheqë në politikë e diplomaci, u tha Papa autoriteteve civile e Trupit Diplomatik.







All the contents on this site are copyrighted ©.