2009-09-26 18:24:56

Kështjella e Pragës


(26.09.2009 RV)Kështjella Hradçani e Pragës daton në vitin 880 dhe u ndërtua nga familja e Premyslëve. U bë seli e perandorëve të Perandorisë së Shenjtë Romake, seli mbretërish e qeveritarësh. Kështjella e banuar është kështjella e lashtë më e zgjeruar dhe shtrihet në një siperfaqe prej 6 hektarësh. Përfshin pallate, oborre e kisha, ndër të cilat spikat katedralja gotike e Shën Vitos, monumenti më i njohur i kryeqytetit çek. Pranë kështjellës ndodhet një terrren me 15 hektarë kopshte, fusha e liqene të vogla, rezidencë verore e banorëve të kështjellës, e cila përbënte një nga pesë “qytetet” e Pragës, që u bashkuan në vitin 1784. Fillimisht fortesë druri e rrethuar me argjilë, kështjella ka pësuar katër ristrukturime masive, por edhe sot ruan pamjen klasike të shekullit XVIII, periudhë e mbretëreshës Maria Tereza e Austrisë. Nga viti 1918, datë e pavarësisë së Republikës Çekosllovake, Hradçani është seli e Presidencës së Republikës. Sot përbën monumentin më të rëndësishëm kulturor e historik të kombit bohem me thesare të paçmuara si stolitë mbretërore, varret e mbretërve bohemë, reliket e disa shenjtorëve, muzetë, thesaret e artit e arkivet historike, kullat me observatorët, Bazilikën e Shën Gjergjit dhe Rrugëzën e Artë shumë piktoreske, rrugë historike me shtëpi prej druri ngjyra-ngjyra.







All the contents on this site are copyrighted ©.