2009-09-26 16:06:42

Kisha e Zojës së Fitores


(26.09.2009 RV)Kisha e Zojës së Fitores u ndërtua, siç dëshmon një epigraf në pjesën veriore të saj, në vitet 1611-1613 për luteranët gjermanë, në vendin ku që nga viti 1584 ekzistonte një kapelë kushtuar të Shenjtnueshmes Trini, tashmë tepër e vogël për të nxënë gjithë besimtarët. Pas fitores së Kundërreformës në vendet boheme, perandori Ferdinandi II i dorëzon Urdhërit të Karmelitanëve të Zbathur kishën, që i kushtohet Zojës së Fitores e Shën Andout të Padovës. Emri “Zoja e Fitores” kujton parrullën e armatës katolike gjatë betejës së Malit të Bardhë (8 nëntor 1620), që shënoi mundjen përfundimtare të koalicionit të shteteve protestante. Ajo parrullë ishte “Shën Maria”. Kisha, fillimisht në stilin e rilindjes së vonë, bëhet pjesë përbërëse e kuvendit karmelitan e ndryshohet më pas me ndërtimin e një presbiteri të ri, të fasadës, të hyrjes kryesore e të shkallës që òon në qendrën e qytetit. Ky modifikim strukturor e shndërron ndërtesën në shembullin e parë të artit fetar barok në Pragë. Me mbylljen e udhërave fetare në vitin 1784, kisha u kalon Kavalierëve të Urdhërit të Maltës. Së fundi, në vitin 1993, me dëshirën e kardinalit Miloslav Vlk, kisha u rijepet karmelitanëve. Brenda kishës nderohet shtatorja e “Jezusit Fëmijë të Pragës” dhe një kopje e Zojës braziliane “Aparecida”.







All the contents on this site are copyrighted ©.