2009-09-26 14:03:00

Historik i shkurtër i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Çeke dhe Selisë Shenjtë


(26.09.2009 RV)Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë Shenjte dhe Çekosllovakisë ka më se 90 vjet që ekzistojnë. Ato u vendosën në tetorin e vitit 1919. Një vit më vonë në Vatikan erdhi ambasadori i parë K. Krofta, i cili i paraqiti Papës Benedikti XV letrat kredenciale. Në vitin 1925 me rastin e kremtimeve përkujtimore në 510-vjetorin e djegies në turrën e druve të reformistit Jan Hus, ndërmjet Selisë Shenjte dhe Çekosllovakisë u krijuan shumë tensione të cilat mbërritën kulmin me tërheqjen e përkohshme të Nuncit apostolik. Por menjëherë nisën përpjekjet për zbutjen e tensioneve. Pas krijimit të Protektoratit dhe të Shtetit Sllovak, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vatikani nuk pati marrëdhënie me qeverinë çeke në azil, në Londër.

Ngjarjet e Çihoshtit. Në fund të 1949 Çekosllovakia gjendej nën regjimin komunist i cili kishte asgjësuar të gjitha partitë e tjera që kishin marrë pjesë në formimin e Republikës së Tretë në vitin 1945. Pikërisht në këtë kohë në fshatin Çihosht ndodhën disa ngjarje të pazakonta. Famullitari Atë Jozef Tufar dhe besimtarët, për tri herë me radhë, ( me 11, 24 dhjetor 1949 dhe 8 janar 1950) deklaruan se kishin parë një kryq që sillej përqark vetvetiu duke kallëzuar vazhdimisht drejtimin e Perëndimit. E ashtuquajtura “Mrekulli e Çihoshtit” zgjoi tërbimin e autoriteteve komuniste që urdhëruan mbylljen e kishave, të shoqëruara këto me arrestime dhe shpronësime, ndërsa famullitari Jozef Tufar u fut në burg, ku përpara se të vdiste u torturua. Pikërisht në këtë periudhë përfaqësia diplomatike e Vatikanit u shpall e padëshirueshme dhe si e tillë u dëbua nga vendi.

Pas dyzet vjetësh komunizëm Republika Federale Çeke dhe Sllovake, i rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Selinë Shenjte me 19 prill 1990.
Me 21-22 prill 1990 Gjon Pali II në kuadër të Shtegtimit të 46 të tij Apostolik vizitoi Republikën Federative. Mbeten të paharruara fjalët e tij kur mbërriti në Pragë: “Jeta e kombeve të Evropës Qendrore dhe lindore ka qenë deri tani, nga shumë pikëpamje e parealizuar për shkak të zbatimit të dhunshëm të idelogjisë materialiste, që nuk përkonte me traditat shpirtërore dhe as me kërkesat e kohës në këtë prag të mijëvjeçarit të ri. Këto kombe kanë nevojë ta marrin veten e të përtërihen, jo vetëm në kuptimin politik dhe ekonomik, por edhe në atë shpirtëror dhe moral.”

Republika Çeke. Mbas ndarjes me mirëkuptim të Çekisë dhe Sllovakisë, Selia Shenjte e njohu Republikën Çeke si të tillë me 1 janar 1993. Që nga ajo ditë marrëdhëniet diplomatike kanë vijuar normalisht. Ambasadori i tashëm i Republikës Çeke, Pavel Voshalik i paraqiti Benediktit XVI letrat e tija kredenciale më 27 shtator 2008.
Gjithashtu më 25 korrik 2002, pas gati dy vjetësh bisedime, në Pragë u firmos “Pakti ndërmjet Selisë Shenjte dhe Republikës Çeke për rregullimin e marrëdhënieve reciproke”. Tani pritet miratimi i kësaj marrëveshjeje nga Dhoma e Deputetëve të Republikës Çeke.







All the contents on this site are copyrighted ©.