Papa në takim me ipeshkvijtë e Brazilit grupit Verilindje flet për familjen në realitetin
e sotëm të vështirë shkaktuar nga divorci e bashkëjetesa.
(25.9.2009 RV)Sot paradite në Kastel Gandolfo, Papa priti në audiencë një grup
tjetër ipeshkvijsh të Konferencës ipeshkvnore të Brazilit, atë të pjesës Verilindje
1-4, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina ‘ në Vatikan. Në fjalimin e tij drejtuar
ipeshkvijve të Brazilit, Ati i Shenjtë Benedikti XVI foli për indin shoqëror të “minuar”
nga dukuritë negative “ që duket se po orvaten të shkatërrojnë djepin natyror të
jetës njerëzore”, familjen e themeluar mbi martesën. “Një situatë shtetrrethimi”:
kështu u shpreh Papa duke folur për kushtet në të cilat jeton sot familja: “..ndërgjegjja
e përhapur në botën e shekullarizuar përjeton paqartësinë më të thellë që kur shoqëritë
perëndimore e kanë legalizuar divorcin”. Kështu pohoi Papa duke kujtuar se “janë
në rritje bashkimet e faktit dhe divorcet”. Benedikti XVI flet për “një gjendje brishtësie
në të cilën konsumohet drama e shumë fëmijëve, të privuar nga mbështetja e babait,
viktima - thotë - të situatës së vështirë, të braktisjes e të përhapjes së çrregullimit
shoqëror”.
Papa shpjegon konkretisht se ajo, që ai e quan “familje të
zgjeruar e të lëvizshme”, i shumëfishon baballarët e nënat. E “ky fakt - shton
Papa - bën që pjesa më e madhe e fëmijëve të këtyre familjeve të ndjehen jetimë, jo
pse janë bij pa babë, por sepse janë bij të shumë, madje të tepër baballarëve”. E
tërë kjo - pohon Papa - krijon “konflikte e konfuzione të brendshme”. Më tej i
çon fëmijët drejt idesë së shtrembëruar e të falsifikuar të familjes, e cila kuptohet
kështu si një formë bashkëjetese. E lidhur me bashkëjetesën Papa shpjegoi se kjo lind
nga ndjenja e “subjektivizmit individual” dhe bart në vetvete “premisat e brishtësisë
e të paqëndrueshmërisë”. Benedikti XVI pohon se kështu personat “ mashtrohen e ngashënjehen
(joshen) nga stili i një jete që është fryt i relativizmit”.
E Papa u shpjegoi
ipeshkvijve të Brazilit se “me tërë mirëkuptimin që mund të kemi për disa situata”,
duhet të kujtojmë se “çiftet e bashkimit(martesës) të dytë nuk do të jenë kurrë si
çiftet e bashkimit(martesës) të parë” e se “bashkimet e dyta përjetojnë një situatë
të parregullt e të rrezikshme, e cila është e nevojshme të zgjidhet duke i qëndruar
besnik Krishtit dhe me ndihmën e një meshtari, për t’i shpëtuar ata që janë të përfshirë
në të”.