2009-09-25 17:51:55

Feja e shpresa në qendër të udhëtimit të Papës në Republikën Çeke. Me ne kardinali Vlk.


(25.09.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI fillon nesër udhëtimin e tij të 13-të apostolik për të shkuar në Republikën Çeke. Vizita, që do të zgjasë tri ditë, bëhet me rastin e festës së Shën Vençeslaut, Pajtor i kombit. Motoja e saj është “Dashuria e Krishtit është forca jonë”. Por cila është gjendja që gjen Papa?
Çekia, sëbashku me Estoninë, është një nga shtetet evropiane, ku është më i përhapur ateizmi. E ka një nga nivelet më të ulta të lindjeve në botë: vdekjet i tejkalojnë lindjet. Abortet e divorcet janë në rendin e ditës. Mungojnë arësyet për të jetuar – denoncojnë ipeshkvijtë – mbizotërojnë egozimi dhe pesimizmi. Edhe bashkësia katolike vuan shekullarizimin e krizën e identitetit. Nga 30% katolikë që ka Çekia, vetëm një e pesta shkojnë në kishë e ndjekin sakramentet. Mungojnë thirrjet meshtarake.
Për ironi të fatit, në kohën kur feja konsiderohej opium për popujt, shumë vetë paguan me gjak për të mos e mohuar. Ishte Kisha e heshtjes, por një heshtje që fliste shumë. Sot, Kisha ka ngritur spitale, jetimore, shtëpi për të moshuarit e për të pamundurit, ka hapur konsultore familjare e shkolla e të shumta janë nismat për të varfërit. Por besimtarët e kanë braktisur.
Në këtë situatë, ç’pret Kisha e Çekisë nga Papa? Të dëgjojmë kryeipeshkvin e Pragës, kardinalin Miloslav Vlk:
Ne jemi një vend, në të cilin feja katolike, feja e krishterë, nuk është shumë e përhapur. Kisha është e mënjanuar e kjo ndodh edhe sot: jemi në skaj të shoqërisë! Në periudhën e kontrollit komunist, shumica e Kishës – sidomos laikët – mbetën pasivë. Prandaj, është e qartë që Ati i Shenjtë vjen për të përforcuar besimtarët në fe.
Cilat janë sfidat kryesore për Kishën çeke, 20 vjet pas rënies së komunizmit?
Kisha çeke, sot, duhet të zhvillohet, të hyjë në dialog me shoqërinë, sepse në të, sidomos ndër politikanët, ka shumë paragjykime kundër Kishës. Është e nevojshme të tregojmë përmes dialogut se këto paragjykime nuk janë të vërteta. 20 vjet pas komunizmit nuk ka ndonjë përparim të madh nga pikpamja politike. Ka filluar shndërrimi ekonomik, por ai po bëhet jo mbi bazën e vlerave. Ka shumë korrupsion, nuk ekziston një demokraci e vërtetë, serioze, e thellë.
Ju keni përjetuar persekutimin komunist. Për tetë vjet me radhë keni punuar si larës xhamash në Pragë. Si e kujtoni atë periudhë?
Për mua – nga pikpamja shpirtërore – ka qenë një periudhë shumë e fortë, pasi fillimisht humba çdo gjë: nuk mund të kryeja publikisht shërbimin meshtarak, nuk mund të predikoja e as të mbarështoja Sakramentet, por kjo më bëri të kuptoj se Jezu Krishti është bërë Meshtari më i Madh në Kryq, kur nuk mund të lëvizte, kur nuk mund të bekonte, kur nuk mund as të fliste. E unë, që në atë periudhë humba gjithçka, e ndjeja veten shumë afër Jezusit të kryqëzuar e të braktisur dhe ndihesha me të vërtetë meshtar. Për mua ka qenë një dhuratë e madhe e hirit të Zotit, pasi zbulova se mund ta gjeja Krishtin e të isha në kontakt me Të edhe në dhimbje, në situata negative. Së dyti, provova bashkimin me vëllezërit, me të cilët kam jetuar duke e pasur Jezusin mes nesh, Jezusin e ringjallur, e kjo më ka mbajtur.







All the contents on this site are copyrighted ©.