2009-09-24 16:47:45

Çelësi i fjalëve të Kishës: kuptimi i krishterë i fjalës “vigjëloj-rri zgjuar”.


(24.09.2009 RV)RealAudioMP3 Rojtar ç’kohë nate është? Rojtar ç’kohë nate është? Rojtari përgjigjet: Po vjen mëngjesi, por edhe nata…” (Is 21,11-12) Në librin e tij, profeti Isaia përshkruan me mjeshtëri skenën që vë në dukje tensionin e natës, të provuar nga rojtarët e patrullimit të qytetit, të cilët mezi ç’presin të vijë agimi, për të përfunduar kështu turnin e tyre të vigjëlimit.
Edhe psalmisti në Psalmin e famshëm “De Profundis” krahason pritjen e faljes hyjnore me dëshirën për dritë që përshkon rojtarët, të cilët në hebraisht quhen “shomrim”, vigjëlues. “E pret shpirti im Zotin, më tepër se rojtarët agimin”(130/129,6). I njëjti term përdorej edhe për meshtarët që shërbenin në tempullin e Sionit, të cilët vigjëlonin gjithë natën në lutje (134/133,1).
Profeti biblik e krahasonte veten me rojen e natës, që duhet të jetë gati për të sinjalizuar çdo rrezik e për ta kryer mirë detyrën e vet: “Biri i njeriut” i thotë Zoti Ezekielit, “të kam bërë rojen e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, duhet t’i vësh në dijeni nga ana ime”, përndryshe përgjegjësia mbetej mbi profetin (3,16-17; edhe 33,1-9). E pastaj, gruaja e Këngës së Këngëve thotë diçka të mrekullueshme për të treguar dashurinë e saj të qëndrueshme: “Unë fle, por zemra më rri zgjuar” (5,2), pra, vigjëlon.
Vigjëlimi bëhet kështu një simbol, që merr vlerë të dyfishtë. Së pari kemi të bëjmë me një vlerë etike, ekzistenciale, që e bën besimtarin ta ruajë veten e moralin. Në Librin e Fjalëve të Urta, dishepullit i kërkohet: “Me më të madhin kujdes ruaje zemrën tënde” (4,23).
Shën Pali Apostull vazhdon më vonë t’i ftojë të krishterët “të rrinë zgjuar, të qëndrojnë të palëkundur në fe, të vërejnë me kujdes si jetojnë, duke vigjëluar mbi veten e mësimin” që u jepet të tjerëve (1 Kor 16,13; Ef 5,15; 6,18; 1 Tm 4,16).
Edhe Shën Pjetri Apostull në letrën e tij të parë shkruan: “Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan uluritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë” (5,8-9).
Një përmasë e rëndësishme e këtij vigjëlimi është lutja, siç na sugjeron mëse një herë Jezu Krishti: “Rrini zgjuar e lutuni për të mos rënë në tundim” (Mateu 26,41). E duhet vigjëluar edhe mbi gjuhën që përdorim: “Ku ta gjej atë që të m’i vërë gojës sime rojën…që të mos gaboj e të mos më bjerrë gjuha ime?” (Sir 22,33).
Në fjalët e Krishtit, fjala vigjëloj-rri zgjuar (shprehur me dy fjalë greke: agrypnein – rri zgjuar dhe gregorein – vigjëloj) merr një vlerë, që quhet nga teologët eskatologjike. Pra, Jezusi synon të tërheqë vëmendjen e dëgjuesve, në mënyrë që ata të jenë gati për ardhjen e Zotit, i cili vjen të gjykojë si fundin e jetës tokësore të secilit, ashtu edhe qëllimin e fundit të historisë njerëzore. Thirrja është e qartë: “Rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën e as orën!” (Mar 13,35).
Pikërisht për këtë arësye, Jezusi i kundërvihet mënyrës së lehtë të jetesës, që e bën njeriun të mos shohë thelbin e ekzistencës së vet, por e çon vetëm drejt dëfrimeve pa fre. Prandaj, Ai ngul këmbë: “Çka po ju them juve, ua them të gjithëve:rrini zgjuar!” (Mar 13,37). Shën Pali Apostull e pat kuptuar fare mirë këtë ftesë të Krishtit, prandaj u thotë të krishterëve të Romës: “Tashmë është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tash shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg vetes veprat e errësirës e të vishemi me armët e dritës. Të sillemi me nder, porsi ditën!” (13,11-13)







All the contents on this site are copyrighted ©.