2009-09-24 16:47:15

Me imzot Ravazin vazhdojmë bisedën mbi sfidat e botës së globalizuar. Ndër këto janë argumentet fetare që trajtohen nga libra e filma, me teprime, shtrembërime të ngjarjeve historike.


(24.9.2009 RV)RealAudioMP3 Me imzot Xhanfranko Ravazin, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës vazhdojmë bisedën mbi sfidat e botës së globalizuar. Ndër këto sfida janë edhe argumentet fetare që trajtohen nga libra e filma, të cilët në të shumën e rasteve kanë teprime, shtrembërime apo ikja nga të vërtetat fetare apo faktet e ngjarjet historike. Para një prodhim-botimi mjaft të madh e të larmishëm që trajtojnë tema fetare në mënyrë të lirë, shpesh herë njerëzit e madje edhe besimtarët mbesin të çorientuar, kjo edhe për faktin e mungesës së formimit të përshtatshëm që duhet të ketë çdo njeri e aq më tepër një besimtarë në fushën e besimit që ka.

Imzot Ravazi pra, sot shikojmë se botohen libra e prodhohen filma, që trajtojnë tema fetare, kishtare, duke u përpjekur të ngjallin kureshtjen e njerëzve, por në mënyrën e tyre. Çfarë qëndrimi duhet të mbajnë besimtarët ndaj këtyre ‘prodhimeve kulturore’?

"Së pari duhet thënë se në këtë tip filmash ka shumë teprime, që i bëjnë të pabesueshëm. Kur përdoren një mori efektesh, kur kalohet kufiri në skenat e krimeve, kur teprohet edhe në përdorimin e ngjyrave, atëherë publiku nis t’i shikojë këta filma si lojë, jo si mesazh. E këtë mund ta vëresh menjëherë, duke dëgjuar ç’thuhet kur njerëzit dalin nga sallat e kinemasë. Duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër, për fat të keq, shumë i trishtuar. Është padija, që e mbulon si me një mantel, jo vetëm shoqërinë laike bashkëkohore, por edhe vetë botën e besimtarëve, e cila është në të njëjtin nivel, tepër të ulët, përsa i përket mendimit kritik, njohjes së të vërtetave të fesë, historisë së krishterimit. E kjo çështje ka të bëjë kryesisht me Kishën. Dikur ndiqej rruga e katekizmit, rruga e komunikimit, përmes metodave të ndryshme. Tani del përsëri në pah ajo, që e përsëritëm disa herë: tema e gjuhës. Kisha nuk ka arritur të ketë një komunikim me domethënie të thellë, me vlera, që i nguliten njeriut në mendje e në zemër. Duhet, prandaj, t’i përgjigjemi padijes e ta mbushim zbrazësinë me disa forma të reja, me disa thjeshtëzime të padiskutueshme. Për shembull, librave me prirje të theksuara ateiste, që janë tejet të rëndomtë, nuk është e arsyeshme t’u japim përgjigje të larta, filozofike. Duhen dhënë përgjigje të shpejta, nganjëherë edhe në formë replike. E kjo duhet bërë edhe për filmat, që na propozohen kohët e fundit".







All the contents on this site are copyrighted ©.