2009-09-23 16:46:57

“Dashuria e Krishtit është forca jonë”: Benedikti XVI do të shkojë të shtunën e ardhshme në Republikën Çeke.


(23.09.2009 RV)U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit programi i vizitës së ardhshme apostolike të Benediktit XVI. Papa do të shkojë në Republikën Çeke nga e shtuna, 26 shtator deri të hënën, 28 shtator, ditë në të cilën festohet Shën Vençeslau, Pajtor i kombit.
Motoja që do ta shoqërojë Atin e Shenjtë në udhëtimin e tij të 13-të jashtë Italisë është “Dashuria e Krishtit është forca jonë”. Në Republikën Çeke ka qenë tri herë edhe Papa Gjon Pali II, ndërsa Benedikti XVI e ka vizituar Pragën në vitin 1992 si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
Sapo të mbërrijë në kryeqytetin çek, të shtunën, Ati i Shenjtë do të shkojë në kishën e Zojës së Fitores, ku ruhet shtatorja e famshme e Jezusit Fëmijë të Pragës. Pasdite do të takohet me presidentin Vaclav Klaus dhe me autoritetet civile në kështjellën e qytetit, ndërsa me ato kishtare në Katedrale. Të dielën, Papa do të fluturojë në Brno, qyteti kryesor i Moravisë, ku do të kryesojë Meshën e do të thotë Lutjen e Engjëllit të Tënzot në aeroportin lokal e sapo të kthehet në Pragë do të marrë pjesë në një takim ekumenik në kryeipeshkvi e do të takojë botën akademike në kështjellë. Në ditën e fundit, Benedikti XVI do të kremtojë Meshën në sheshin Melnik, në qytetin e lashtë Starà Boleslav, thellësisht e lidhur me kultin e Shën Vençeslaut, i cili është martirizuar në atë vend.
Ky udhëtim i Papës – kujtoi zëdhënsi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi – bëhet 20 vjet pas rënies së komunizmit e 20 vjet pas kanonizmit të shën Anjezës të Pragës. Ambienti shoqëror i sotëm është fortësisht i shekullarizuar e pjesa më e madhe e popullsisë çeke nuk e praktikon e as e deklaron fenë. Gjithashtu, ka disa probleme në marrëdhëniet ndërmjet shtetit e Kishës. Kjo e fundit akoma është në pritje të ratifikimit të një marrëveshjeje dhe të kthimit të pronave të sekuestruara nga komunizmi. Prandaj, theksoi atë Lombardi:
“Sigurisht që synohet të inkurajohet Kisha të ndihet bartëse e gjallërisë, shpresës e bamirësisë në shoqërinë çeke, megjithëse të shekullarizuar, në të cilën ndodhet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.