2009-09-23 16:47:12

Obama në OKB: më tepër bashkëpunim ndërkombëtar


(23.09.2009 RV)Filloi me fjalime të rëndësishme Asambleja e 64-t e OKB-së në Nju Jork. Presidenti amerikan Barak Obama nguli këmbë për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar para 120 krerëve të shteteve të mbledhur për shtatë ditë nga Nju Jorku në G20-ën e Pitsburgut. Obama ilustroi me hollësi politikën e jashtme amerikane, të ndryshme nga ajo e parardhësit të tij, Xhorxh Bush, duke shpjeguar katër përparësitë e saj: bashkëpunimi kundër përhapjes së armëve bërthamore, sfida e ndryshimeve të klimës, zhvillimi global dhe paqja. Si shenjë e impenjimit të tij personal, presidenti Obama deshi të kryesojë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër përhapjes së armëve bërthamore, duke u bërë kështu presidenti i parë amerikan që bën një gjë të tillë.
Obama arriti dje një rezultat të dukshëm në takimin tripalësh ndërmjet tij, presidentit palestinez Abu Mazen dhe kryeministrit izraelit Benxhamin Netanijahu. Në përfundim të takimit, Netanijahu lajmëroi se ekziston një marrëveshje me palën palestineze për rifillimin e bisedimeve për paqen. Nga ana e tij, Abu Mazen përsëriti kërkesën për bllokimin e përhapjes së ngulimeve hebraike. Të dëgjojmë profesoreshën e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Maria Grazia Enardu:
Është e vërtetë se presidenti Obama hoqi praktikisht dorë nga kërkesa për bllokimin e plotë të ngulimeve hebraike, por është e vërtetë edhe se u shprehu të dyja palëve pakënaqësinë e thellë për vonesat në fillimin e bisedimeve për paqen. Duket se u ka dhënë palëve tri javë kohë për të filluar të flasin e se gjatë takimit është treguar i ashpër. Nga ana amerikane, ekziston vullneti i fortë për të bërë presion mbi izraelitët për ngulimet hebraike dhe mbi palestinezët për kontrollin e terrorizmit. Çështja është se ç’do të bëjnë amerikanët pas tri javësh për të verifikuar e inkurajuar palët që të takohen në mënyrë më konstruktive.







All the contents on this site are copyrighted ©.