2009-09-23 16:46:31

Lutuni, punoni, vuani për Kishën: Papa në audiencën e përgjithshme citon Shën Anselmin, që mbrojti lirinë e Kishës nga ndërhyrja e politikës


(23.09.2009 RV)RealAudioMP3 Lutuni, punoni e vuani për Kishën: kjo është ftesa që u drejtoi besimtarëve sot paradite Papa Benedikti XVI, gjatë audiencës së përgjithshme në Sallën Pali VI në Vatikan. Katekizmin e sotëm, Ati i Shenjtë e përqëndroi në figurën e shën Anselmit, i cili ka sivjet 900-vjetorin e kalimit në amshim.
Fjalët e tij “nuk mundohem të kuptoj për të besuar, por besoj për të kuptuar”, theksoi Papa, janë shumë të dobishme edhe sot. Benedikti XVI përshkoi jetën e shenjtit të lindur në Aosta të Italisë, murg benedektin, prior e më pas abat i Bec në Francë, e akoma kryeipeshkëv i Kanterburit në Angli, si mbrojtësin e pashembullt të lirisë dhe pavarësisë së Kishës e të pushtetit shpirtëror nga pushteti politik i kësaj bote. Pikërisht për këtë arësye, kujtoi Papa Racinger, shën Anselmi u internua e më vonë u ripranua në selinë ipeshkvnore kur mbreti Henriku I, në vitin 1106, hoqi dorë nga e drejta për të emëruar përgjegjësit e Kishës, për të marrë taksa dhe për të konfiskuar pasuritë e saj. Themelues i teologjisë skolastike, i quajtur “Doktor i madh”, shën Anselmi qe i vetëdijshëm se kërkimi i Zotit nuk përfundon kurrë. Papa theksoi:
“Ai pohon qartë se kush dëshiron të bëjë teologji nuk mund të mbështetet vetëm në inteligjencën e vet, por duhet të kultivojë njëkohësisht një përvojë të thellë feje”.
Shën Anselmi na mëson se aktiviteti i teologut zhvillohet në tri etapa:
“Feja, dhuratë falas e Zotit për t’u pranuar me përvuajtëri; përvoja, që është mishërimi i Fjalës së Hyjit në jetën e përditshme; e më pas njohja e vërtetë, që nuk është kurrë fryt i arësyetimeve të thata, por intuitë kundruese”.
Dashuria për të vërtetën dhe etja e vazhdueshme për Zotin e shën Anselmit, nënvizoi Benedikti XVI, të jenë për çdo të krishterë shtytje që të kërkojë pa u lodhur bashkimin gjithnjë e më intim me Krishtin, Rruga, e Vërteta dhe Jeta:
“Zelli plot guxim që e dallonte veprimin e tij baritor, e që nganjëherë i sillte keqkuptime, probleme e deri internimin, t’i inkurajojë Barinjtë e Kishës, personat e shuguruar dhe të gjithë besimtarët ta duan Kishën e Krishtit, të luten, të punojnë e të vuajnë për të, pa e braktisur e pa e tradhtuar”.
Në përshëndetjet e fundit, Papa kujtoi viktimat e aksidentit të minierës polake Vujek-Slask dhe i kërkoi Shën Pios nga Pietrelçina, festën e të cilit kremtojmë sot, të inkurajojë të rinjtë që ta shohin të ardhmen si shërbim bujar për Zotin e të afërmin:
“Shembulli i këtij shenjti – vazhdoi të fliste Papa për Shën Pion – kaq popullor, të jetë për meshtarët, në këtë Vit Meshtarak, e për të gjithë të krishterët, ftesë për t’i besuar gjithnjë mirësisë së Zotit, duke u afruar e duke kremtuar me besim Sakramentin e Pajtimit, për të cilin Shenjti i Garganos, ndarës i palodhur i mëshirës hyjnore, qe mbarështues besnik”.







All the contents on this site are copyrighted ©.