Me 22 shtator kalendari kishtar përkujton 32 Martirët e Lum Salezianë spanjollë.
(22.9.2009 RV)Arrestimet e 32 Salezianëve, që do të shpalleshin të Lum, nisën
më 22 korrik të vitit 1936 me kapjen e don Josč Kalasanc. Së bashku me të iu vunë
prangat tetë Salezianëve të tjerë, në sa po ndiqnin një kurs për ushtrimet shpirtërore.
Pas një kalvari të gjatë, u vranë të gjithë, në rrethana e vende të ndryshme. Dy meshtarë
të rinj të Alkoi (provinçë e Alikantes) munden të shpëtojnë përkohësisht, por më pas
u arrestuan dhe u vranë në vjeshtën e të njëjtit vit. Martirët e tjerë u vranë
në Barcelonë e në rrethina. Pas kryengritjes ushtarake të 17 korrikut 1936 kundër
Republikës Spanjolle, shpërtheu menjëherë lufta. Që në fillim të kësaj tragjedie ndodhën
ngjarje që tregonin qartë se po niste persekutimi fetar. Historiani anglez Hug Tomas
pohon se në asnjë çast të historisë evropiane e ndoshta edhe botërore, nuk është shprehur
një urrejtje kaq e tmerrshme kundër fesë e të gjitha veprimtarive të saj. E, duke
kujtuar Salezianët e mbytur me këtë rast, imzot Olaekea, salezian, kryeipeshkëv i
Valencies, në vitin 1957 shkruante: “Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund të vërë në
dyshim se u vranë për shkak të urrejtjes që kishin vrasësit e tyre kundër Krishtit.
32 Salezianët ishin të vetëdijshëm se po i vrisnin vetëm pse ishin priftërinj
e rregulltarë. E pranuan vdekjen për t’i qëndruar besnikë Hyjit e për të mos hequr
dorë nga feja. Prandaj ditët e tyre të fundit qenë plot me shenja që flasin për fenë
e për besnikërinë e tyre: deklaruan se e kishin mbështetur gjithë shpresën në Zotin
e se besonin plotësisht në Provaninë e tij hyjnore, e ndihmuan njëri-tjetrin me dashuri
vëllazërore për të përballuar vuajtjet e burgut e të internimit, u lutën së bashku,
duke kremtuar sa herë mundnin, Eukaristinë e duke i falur të gjithë ata që po i mundonin
e po përgatiteshin t’ua merrnin edhe jetën. Biri im – i thoshte saleziani laik Angel
Ramos një ish-nxënësi të tij, që e kishte paditur si rregulltar – Zoti të ndjefë për
të keqen që po më bën, po edhe unë të kam falur. Gjon Pali II i shpalli të
lum më 11 mars të vitit 2001, së bashku me 201 martirë të tjerë të dioqezës së Valencies.
Kujtimi i tyre është caktuar në datën 22 shtator, ndërsa vijon ende Çështja e Lumturimit
për 42 Salezianët të Madridit e 21 të Seviljes, të gjithë të martirizuar gjatë Luftës
Civile në vitin 1936.