Sot me 21 shtator kalendari Kishtar përkujton Shën Mateun, Apostull e Ungjilltar.
(21.9.2009 RV)Mateu, në Ungjillin e tij, flet vetë për thirrjen që Jezusi i
bëri: “Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë
e i tha: “Eja mbas meje!”. Ai u ngrit e shkoi pas Tij” (Mt 9,9.) Shën Marku shton
hollësinë se babai i të thirrurit quhej Alfeo, ndërsa Shën Luka rrëfen se pasi la
gjithçka për të ndjekur pas Jezusin, Mateu shtroi një gosti të madhe, në të cilën
morën pjesë shumë publikanë, duke ngjallur kështu polemika të ashpra nga ana e farisenjve,
të cilët u mrekulluan kur panë se Jezusi hante me mëkatarët. Të dy ungjilltarët e
quajnë Mateun edhe Levi, ashtu si Simoni quhet edhe Pjetër e Sauli- Pal. Emri i parë
është Levi – i dyti, Maté, përdoret pas thirrjes nga Jezusi. Pas Rrëshajëve Mateu
shkroi Ungjillin në gjuhën aramaike për të krishterët e kthyer prej hebrenjve, për
t’ua plotësuar mungesën e tij, kur u nis për të predikuar Krishtin në vise të tjera.
I shkruar në gjuhën aramaike që e kuptonin pak njerëz, Ungjilli i Mateut u bë libër
për të gjithë, pasi më vonë u përkthye në gjuhën greke. Ndër katër Ungjijtë, ky i
Mateut është më i ploti dhe më mirë i sistemuar. Ungjilli i Mateut është i përqendruar
në Personin e Jezu Krishtit: Ai është Krishti - Mesia. Pra dëshmon, mbi të gjitha,
se Jezusi është Mesia që realizon premtimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe përmban pesë
kumtime të rëndësishme të Krishtit mbi Mbretërinë e Hyjit. Mateu ishte nga Kafarnao,
qendër e rëndësishme, ku kalonin masa tregtarësh, nga të cilët mblidhte taksat. E
pikërisht ky njeri, kaq i lidhur me botën e parasë, në Ungjillin e tij do të shkruante
fjalët e Jezusit: “Lum të varfërit!”; “Kur jep lëmoshë, të mos e dijë e majta çfarë
bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë” dhe “Mos grumbulloni thesare mbi
tokë… nuk mund t’i shërbehet njëkohësisht edhe Zotit edhe mamonës… Kërkoni më parë
mbretërinë e Zotit, e gjithçka tjetër ka për t’ju dhënë si shtesë”. Ky është mesazhi
që na sjell sot Shën Mateu, Apostull e Ungjilltar, një nga hebrenjtë që u bënë dëshmitarët
e ngjalljes së Krishtit dhe i kumtuan botës se Jezusi i Nazaretit është Mesia i premtuar
nga Shkrimet e Shenjta. Ka shumë mundësi që të ketë vdekur nga vdekje natyrore,
ndonëse burime pak të besueshme flasin për martirizimin e tij.