2009-09-21 17:16:15

Kryeministri i Shqipërisë Berisha niset për Amerikë, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së


(21.9.2009 RV)Kryeministri i Shqipërisë Berisha u nis sot për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Sesionin e 64 të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha, i cili do të shoqërohet edhe nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të ketë një axhendë të ngjeshur me takime bilaterale me liderë botërore dhe personalitete të rëndësishme botërorë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të bëjë një përshëndetje në Millenium Challenge Corporation, si dhe do të jetë i ftuar të marrë pjesë në Samitin mbi Ndryshimet Klimaterike. Kryeministri do të jetë referuesi kryesor në Samitin "Global Creative Leadership", në panelin mbi edukimin dhe impaktin e teknologjisë digjitale në edukim.
Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha do të jenë në mesin e shumë liderëve të tjerë të botës, kryetarë të delegacioneve pjesëmarrëse në Sesionin e 64 të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, të cilët do të priten në një mbrëmje gala nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Barak Obama, në Metropolitan Museum of Arts.
Në debatin e Sesionit të 64 të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara Kryeministri Berisha do të mbajë një fjalim për të pranishmit në sesion.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime edhe me komunitetin e shqiptarëve, që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që japin një kontribut të çmuar në jetën dhe politikën e vendit. nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.