Figura e Shën Mateut, nga tagrambledhës në apostull.
Kisha kremton sot më 21 shtator kujtimin e Shën Mateut, Apostull e Ungjilltar. Maté
në hebraisht do të thotë “dhuratë e Zotit”. Benediktit XVI i kushtoi Mateut
katekizmin në audiencën e përgjithshme të 30 gushtit 2006. Apostulli e Ungjilltari
Maté na mëson se kush e ndjek pas Krishtin nuk mund të jetojë i kapur për pasuri të
pandershme! Mateu apostull, vjelës i taksave i thirrur nga Jezusi, ngrihet dhe
e ndjek pas, është shembull i atij që ndahet prej çdo gjëje për të ndjekur Krishtin.
Ky është mësimi që Benedikti XVI u ofroi sot besimtarëve të pranishëm në audiencën
e përgjithshme, mbajtur paradite në sallën e Palit VI në Vatikan. “Edhe sot – tha
Papa – nuk është e pranueshme kapja apo lidhja për ato sende që janë të papajtueshme
me udhën e Jezusit, sikur është rasti i pasurive të pandershme”. Jezusi nuk përjashton
askënd nga miqësia e tij dhe kumtimi i mirë i Ungjillit qëndron pikërisht në dhuratën
e hirit të Zotit për mëkatarin. Më këto fjalë mund ta përmbledhim katekizmin e Atit
të Shenjtë Benediktit XVI, të cilin sot, ia kushtoi figurës së Mateut apostull. Tagrambledhësi
që rrinte ndenjur në bankën e doganës e të cilit Jezusi iu drejtua me fjalët të thjeshta
“Eja mbas meje!” dhe ai menjëherë u ngrit dhe shkoi pas tij, është shembull, nënvizoi
Papa Racinger, i gatishmërisë së përgjigjes së menjëhershme ndaj thirrjes dhe të braktisjes
së çdo gjëje për të ecur në gjurmët e Mësuesit Hyjnor. Ajo e Mateut, është një histori,
vijoi Papa, që ende sot mëson shumëçka: “Është e qartë se Mateu e kuptoi se
familjariteti me Jezusi nuk i mundësonte të vijonte më në aktivitetin që Zoti nuk
e pëlqente, nuk e miratonte. Shumë i lehtë është zbatimi i këtij shembulli për kohën
aktuale: akoma sot nuk është e pranueshme kapja e lidhja për sende që janë të papajtueshme
me ndjekjen e udhës së Jezusit, sikur është rasti i pasurive të pandershme”. Në
të ecurit të Mateut pas Jezusit, shtoi Benedikti XVI, “është legjitime të lexohet
distancimi nga gjendja e mëkatit dhe njëkohësisht aderimi i vetëdijshëm në një jetë
të re”. Në figurën e këtij apostulli, pohoi Ati i Shenjtë, “Ungjijtë na propozojnë
një paradoks të vërtetë”: “Kush, në vështrim të parë,duket se është më larg
nga shenjtërimi, mund të bëhet madje deri një shembull i pranimit të përdëllimit të
Zotit e të lejimit të rrezatimit të fryteve të mrekullueshme në ekzistencën e vet”. Mateu,
që në hebraishte domethënë “dhuratë e Zotit”, tagrambledhës, është një person që sipas
botëkuptimit që ishte në fuqi në Izraelin e shekujve të parë, konsiderohej mëkatar
publik. “ Ai përdorte paratë që konsideroheshin të papastërta për shkak të prejardhjes
së tij prej njerëzve që nuk i përkisnin popullit të Zotit”, shpjegoi Papa, e “bashkëpunonte
edhe me autoritetet e huaja, lakmues të urryeshëm, haraçi i të cilëve mund të vendosej
edhe në mënyrë arbitrare”. E megjithëkëtë, Jezusi e pranon në rrethin e ngushtë të
nxënësve të tij, duke dhënë një mësim të madh: “Derisa ishte në sofër në shtëpinë
e Mateut-Levi, e në përgjigje të vërejtjes së atyre që shkandulloheshin për faktin
se Ai (Jezusi) frekuentonte shoqëri jo fortë të rekomandueshme, shqipton deklaratën
e rëndësishme:“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurve. Nuk erdha të grish
të drejtët, por mëkatarët.” Benedikti XVI kujtoi së fundi se Mateu është autori
i Ungjillit të parë, apostulli e shkroi në gjuhën hebraike por ne sot e kemi përkthimin
e Ungjillit të tij në gjuhën greke. Është një Ungjill, përfundoi Papa, në të cilin
nxënësi nxiton të shpall përdëllimin shpëtimprurës të Zotit: “Ta dëgjojmë këtë
porosi të Shën Mateut, ta meditojmë gjithmonë e sërish, për të mësuar edhe ne të ngrihemi
e ta ndjekim Jezusin deri në fund e plotësisht”. Në mbarim të audiencës, Benedikti
XVI, pas përshëndetjes në gjuhë të ndryshme të tetë mijë shtegtarëve të pranishëm
në audiencë, u drejtoi një përshëndetje të rinjve, të sëmurëve e të posamartuarëve.
Atyre, Papa u paraqiti “shembullin heroik të Shën Gjon Pagëzuesit”, martirizimin e
të cilit Kisha e përkujtoi dje, si nxitje për të projektuar jetën në besnikëri të
plotë ndaj Krishtit, për t’u ballafaquar me vuajtjet me guxim e për të dëshmuar një
dashuri të sinqertë për Zotin e ndaj të afërmit.