2009-09-18 15:07:09

Benedekti XVI takon kryeipeshkvin Hilarion, të Patriarkanës së Moskës


(18.9.2009 RV)Papa priti sot në Kastel Gandolfo kryeipeshkvin Hilarion, president i Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme Kishtare të Patriarkanës së Moskës.
Kryeipeshkvi ortodoks Hilarion, në vizitën e tij të parë në Romë pas emërimit në detyrën e tij aktuale, dje pati një bisedë me kardinalin Walter Kasper, presidenti i Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve. Pas këtij takimi, kardinali Kasper ripohoi se ndërmjet Kishës katolike e Patriarkanës së Moskës marrëdhëniet janë pozitive. Të dyja palët do të takohen përsëri në tetorin e ardhshëm në Qipro, me rastin e sesionit plenar të Komisionit të përzier ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse në tërësinë e saj: në qendër të punimeve figuron tema kyçe, ajo e rolit të ipeshkvit të Romës (Papës) në Kishës universale.
Dje pasdite Hilarion vizitoi Bashkësinë e Shën Egjidit e mori pjesë në lutje në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere në Romë. Në mbarim të lutjes, kryeipeshkvi ortodoks foli mbi nevojën e dëshmisë së përbashkët të të krishterëve “në një botë të shkristianizuar, në një epokë - tha Hilarion - që dikush gabimisht e përcaktoi si post-kristiane. Shoqëria bashkëkohore me konsumizmin e vet, hedonizmin, materializmin praktik, relativizmin moral - vijoi ai - paraqet para të gjithë të krishterëve një sfidë serioze e të vështirë. Nga përgjigja që të krishterët i japin kësaj sfide, varët edhe e ardhmja e njerëzimit e ndoshta edhe mundësia që jeta të vazhdojë në planetin tonë. Është një sfidë e përbashkët që na është bërë e edhe përgjigja duhet të jetë e përbashkët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.