2009-09-17 14:50:16

Këtë vjeshtë Papa Benedikti XVI do të vizitojë sinagogën e Romës.


(17.09.2009 RV)Këtë vjeshtë Papa Racinger do të vizitojë Sinagogën e Romës dhe ai vetë po e pret me shumë gëzim këtë ngjarje. Kështu pohon vetë Papa në një telegram dërguar kryerabinit të Romës Rikardo Senji me rastin e festave hebree të Vitit të Ri, Jom Kipur dhe Sukot.

Në mesazhin dërguar bashkësisë hebree, Ati i Shenjtë Benedikti XVI përcjell urimet më të sinqerta që këto festa të jenë shkak gëzimi të përbashkët. Më pas Papa i lutet Zotit që t’i bekojë hebrejtë në mënyrë që këta të nxiten vazhdimisht për promovimin e drejtësisë, harmonisë dhe të paqës. Papa Racinger i shpreh kryerabinit Senji miqësinë e tij më të thellë dhe, në pritje të vizitës së ardhshme, i përcjell atij ndjenjat më të sinqerta të të gjithë Kishës Katolike. Nga ana e vet kryerabini Senji, - shkruajnë agjencitë e lajmeve, - shprehu mirënjohje për një mesazh kaq domethënës dhe të rëndësishëm.

Është kjo sinagoga e tretë që Benedikti XVI do të vizitojë, pas asaj të Këlnit në Gjermani, në gusht të 2005 dhe asaj të Park Ist të Nju Jorkut, që Papa vizitoi në prill të 2008.
Menjëherë pas zgjedhjes në fronin papnor, në prill të 2005, Benedikti XVI i kishte shfaqur me anë të një mesazhi kryerabinit Rikardo Di Senji besimin në ndihmën e Hyjit të Tejetlartë për të vijuar dialogun dhe për të përforcuar bashkëpunimin me bijtë dhe bijat e popullit hebree”.
Vizita e Benediktit XVI në sinagogën e Romës do të zhvillohet plot 23 vjet pas vizitës historike të parardhësit të tij, Gjon Palit II, më 13 prill 1986, kur kryerabin ishte prof. Elio Toaf.







All the contents on this site are copyrighted ©.