2009-09-15 14:03:36

Sot me 15 shtator kalendari Kishtar përkujton Zojën e Dhimbshme.Në udhën e Kalvarit, Maria është para nesh si shenjë shprese e ngushëllimi


(15.9.2006 RV)RealAudioMP3 Duke shfletuar kalendarin e 15 shtatorit, Kisha katolike përkujtoi Zojën e Dhimbshme.
Përkujtimi i sotëm i Shën Marisë së Dhimbshme na fton të jetojmë përsëri momentin vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën që i bashkohet mundimeve të të Birit e rri afër Tij të lartuar mbi kryq. Amësia e saj merr mbi kalvar përmasën universale.
Festa e Zojës së Dhimbshme që kremtojmë sot lindi nga Urdhri i Shërbëtorëve të Marisë në shekullin XVII e pikërisht në vitin 1714. Nisi të kremtohej në të dielën e tretë të shtatorit, pastaj me reformën e Papës Piut X, kremtimi u vendos më datën 15 shtator, për t’i lënë hapësirën e duhur kremtimit të liturgjisë të së dielës, e kështu kjo datë mbeti e pandryshueshme edhe pas reformës së kalendarit liturgjik të Kishës që Pali VI e bëri menjëherë pas Koncilit të II të Vatikanit.

Po cila është domethënia shpirtërore e këtij përkujtimi liturgjik?
Domethënia e këtij kujtimi liturgjik është vendosur e mund të kuptohet nën hijen e Ngadhënjimit të Kryqit. Festa e dhimbjes së Zojës së Bekuar, nuk ka të bëjë me një dhimbje që loton, dërmon; është dhimbje shëlbuese që vepron - ashtu si kryqi i Zotit tonë Jezu Krishti nuk është thjeshtë kryq i atij që vuan, por kryq i Atij që shpëton e që mbart mbi vete peshën e mëkateve të mbarë njerëzimit. Kështu edhe Maria, që merr pjesë në veprën shëlbimpruese të Krishtit, është nën hijen e kryqit dhe e bashkuar me Kryqin e të Birit.

Maria ishte deri në fund tek këmbët e Kryqit. Askush më mirë se Ajo nuk mund të na mësojë ta marrim mbi vete kryqin tonë e të ndjekim pas Jezusin….
Ky pra është këndvështrimi teologjik. Koncili II i Vatikanit na jep këtë figurë të Virgjërës Mari pranë kryqit: “Kështu Virgjëra Mari eci në shtegtimin e fesë dhe e ruajti të paprekur besnikërinë e saj ndaj të Birit deri në kryq ku, jo pa ndërmjetësinë e planit hyjnor, ndenji duke vuajtur thellësisht së bashku me të Birin, duke bashkëjetuar me shpirtin e nënës, flijimin e Tij dhe duke e pranuar me dashuri flijimin që ajo vetë e kishte lindur. E, në fund, nga goja e Birit që po jepte shpirt mbi Kryq, dëgjoi fjalët që e bënë Nënë të të gjithëve: ‘Grua, ja biri yt!’. Prandaj mund të themi se figura e Virgjërës Mari pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me Birin, jo vetëm që merr pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në zemrën e vet amtare. E atëherë nuk mund të mos na lindë pyetja: ‘Çfarë lidhje ka ndërmjet Virgjërës Mari tek këmbët e kryqit e kryqit tonë?’. Ka shumë lidhje dhe kuptim. Na tregon se edhe ne së bashku me Të, mund të marrin pjesë, përmes Kishës, në misterin e shëlbimit të botës, duke e mbartur me Jezusin kryqin tonë të përditshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.