2009-09-15 16:04:21

Në prill të 2010 Benedikti XVI do të vizitojë Maltën me rastin e 1950-vjetorit të lundërthyerjes së Shën Palit.


(15.09.2009 RV)RealAudioMP3 Ati i Shenjtë Benedikti XVI do të shkojë në shtegtim apostolik në Maltë në prill të vitit të ardhshëm. Lajmin e dhanë dje ipeshkvijtë maltezë me anë të një komunikate për shtyp. Kjo është hera e tretë që një papë viziton arqipelagun pas dy vizitave të Gjon Palit II në 1990 dhe në 2001. Përgatitjet do të fillojnë, tashti, në tetor kur dok. Alberto Gasbarri, përgjegjës për udhëtimet apostolike të Papës jashtë Italisë do të vizitojë Maltën për organizimin e programit.

Benedikti XVI e pranoi, pra, ftesën për vizitë që i bënë muajt e kaluar si ipeshkvijtë e vendit ashtu edhe presidenca malteze. Shtegtimi do të bëhet me rastin e 1950-vjetorit të lundërthyerjes së Shën Palit, e cila sipas traditës ndodhi pikërisht në vitin 60 pas Krishtit, ndërsa apostulli i popujve po udhëtonte drejt Romës. Shën Pali – lexojmë në Aktet e Apostujve – u prit nga popullata “me një humanizëm të rrallë”. Këtu qëndroi plot tre muaj përpara se të nisej për në Siçili. Ndonëse u kafshua nga një nepërkë, nuk pati pasoja për shëndetin. Shumë banorë të sëmurë të ishullit rendën tek ai që t’i shëronte dhe në fakt Shën Pali i shëroi.

Me 16 qershor 2005 Benedikti XVI, duke pritur ambasadorin e ri maltez pranë Selisë Shenjte, pati vënë në dukje rrënjët thellësisht të krishtera të Maltës, “një trashigimi vlerash kulturore dhe fetare” mbi të cilat mund të ndërtohet “një e ardhme solidariteti dhe paqeje.” “Krijimi i një Evrope të bashkuar dhe solidare – pati thënë asokohe Papa Racinger – është detyrë e të gjithë popujve që e përbëjnë. E në të vërtetë, Evropa duhet të dijë të ndërthurë interesat legjitime të çdo kombi me kërkesat e së mirës së përbashkët të krejt këtij kontinenti.”

Në këtë kontekst, në një intervistë dhënë kohët e fundit gazetës vatikanase “L’Osservatorio Romano”, kryeipeshkvi i Maltës Pol Kremona, bëri thirrje që emigrantët të priten ashtu si u pat pritur Shën Pali. Prelati në atë intervistë shpjegonte se duke pritur Shën Palit, maltezët treguan se janë të hapur kundrejt atij që është “i ndryshëm” nga ne, kundrejt të “huajit”. Një ndjenjë kjo, – nënvizonte kryeipeshkvi Kremona, – që duhet të ruhet e duhet zbatuar edhe në këto çaste historike që po përjetojmë kur vihen re dyndje emigrantësh, veçanërisht në Maltë që është në qendër të Mesdheut. “Nuk duhet të kemi paragjykime, vijonte Imzot Kremona në intervistë, – dhe duhet t’i konsiderojmë emigrantët si njerëz përpara së gjithash.”
Malta, ka fituar pavarësinë nga Anglia në vitin 1964. Ka 410 mijë banorë, 98 përqind e të cilëve janë katolikë. Që nga 1 maji i viti 2004 Malta është anëtare e Bashkimit Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.