2009-09-15 15:47:46

Filluan sot punimet e Asamblesë së 64-të të Përgjithshme të OKB-së.


(15.9.2009 RV)Ndër temat e kësaj mbledhje në plan të parë është ruajtja e paqes dhe e sigurisë ndërkombëtare, promovimi i rritjes ekonomike , zhvillimi i Afrikës, impenjimi për aplikimin universal të të drejtave të njeriut, një koordinim më efikas i asistencës shëndetësore.
Ndërkohë, dje pasdite në Nju Jork, me nismën e kryedioqezës së Nju Jorkut e të Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, kryeipeshkvit imzot Çelestino Miljore, është mbajtur një kremtim ekumenik i lutjes drejtuar Zotit në pragun e këtij takimi të nivelit të lartë botëror. Po të dëgjojmë pikërisht Vëzhguesin e Vatikanit pranë OKB-së imzot Miljore se çfarë atmosfere ndjehet në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së?
Do të thosha se ndjehet një atmosferë me përgjegjshmëri të përtërirë ndaj situatës botërore. Delegacionet kombëtare janë të thirrura të reflektojnë e të përvijojnë programet e tyre për një përgjigje konkrete ndaj krizës së shumanshme që jemi duke kaluar, me një vështrim të veçantë ndaj propozimit të dialogut të shumanshëm ndërmjet kulturave e qytetërimeve.
Imzot Miljore, sipas jush, ekziston vërtetë vullneti real brenda Vende anëtare të OKB-së për të rishqyrtuar funksionin e Pallatit të Qelqtë e kështu për t’i dhënë përsëri rolin prej protagonisti Kombeve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare?
Ekziston, pa dyshim, një perceptim shqetësues se pa një reformë të mirëfilltë të modalitetit të vendimeve që merr OKB-ja, mund të shkohet drejt një rënie të mëtejshme të rëndësisë që ka. Por problemi nuk është në gjetjen e zgjidhjeve teknike e të institucioneve të përshtatshme, madje: propozime të urta e efikase për këtë ka edhe tepër! Çështja qëndron në vullnetin politik të anëtarëve të veçantë që e përbëjnë Organizatën e në mënyrë të posaçme të atyre që ushtrojnë një ndikim më të madh politik, ekonomik, ushtarak e demografik, që të dinë ta përdorin, do të thotë të kenë guximin të promovojnë interesat personale kombëtare në kontekstin dhe në funksionin e promovimit të së mirës së përbashkët botërore. Prandaj Organizatat ndërkombëtare duhet t’i bëjmë vende jo të ndarjes së pushtetit, por të vëmendjes e të përgjigjes konkrete e të realizueshme ndaj problemeve që kanë popullsitë.
Imzot Miljore kemi përshtypjen se gjendemi në një moment vendimtar për të ardhmen e procesit të paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Sipas jush, në çfarë mënyre OKB-ja mund të promovojë këtë dialog?
OKB-ja aktualisht koordinon disa nisma e mekanizma të paqes në botë; nga pjesëmarrja e 130 krerëve të Shteteve e qeverive të botës në Nju Jork, urojmë e shpresojmë të ketë takime e dialog të drejtpërdrejt ndërmjet palëve të interesuara.
Kriza ekonomike në këtë moment është një ndër temat që zë vendin e parë në programin e takimeve ndërkombëtare. A është e mundur, sipas jush, të arrihet ndonjë marrëveshje në mënyrë që Vendet e pasura e Vendet e varfra të dalin nga emergjenca?
Aktualisht çështjet e mëdha ekonomike e financiare debatohen e rregullohen brenda grupeve të ngushta, qoftë ai i G8, i G20, derisa Kombet e Bashkuara përfaqësojnë G192: do të thotë se përfshinë në debat e në propozime të gjitha 192 Vendet e botës të pranishme në OKB. Prandaj pushteti, apo grupet vendimtare, duhet t’i kushtojnë vëmendje e të marrim në konsideratë zërin e G192, nëse duam të vendosim themelet për një përkujtim të përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.