2009-09-14 15:45:19

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: nuk mjafton të besosh në Zotin, duhet dashur vëllezërit e të kemi një jetë të pastër duke ndjekur Jezusin në udhën e kryqit.


(14.9.2009 RV)Nuk është besimtar i vërtet kush thotë se ka fe por nuk i do vëllezërit në mënyrë konkrete dhe nuk e ndjek Jezusin në udhën e kryqit: kjo është përmbledhtas ajo çka Papa tha dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo. Benedikti XVI ripohoi se Jezu Krishti Zot nuk ka ardhur për të mësuar ndonjë filozofi por udhën që çon në jetën e vërtetë.
Duke komentuar leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 24-të gjatë vitit kishtar, Papa i ftoi besimtarët të përgjigjen në dy pyetje e çështje thelbësore: “ Kush është për ty Jezusi i Nazaretit?”. E pastaj: “A shndërrohet e mishërohet Feja jote në vepra apo jo?” . Në pyetjen e parë Pjetri jep një përgjigje të qartë e të menjëhershme: “Ti je Krishti”, që do të thotë Mesia, i shuguruari i Hyjit i dërguar për shpëtimin e popullit të vet. “Pjetri e apostujt tjerë, pra - pohon Papa - në dallim me pjesë e madhe të njerëzve, besojnë se Jezusi nuk është një mësues i madh, apo një profet, por shumë më tepër. Ata kanë fe: besojnë se në Të është i pranishëm e vepron Hyji”:
Mirëpo menjëherë pas këtij rrëfimi të fesë, atëherë kur Jezusi për herë të parë paralajmëron publikisht se do ti duhet të vuajë shumë e do të vritet, vet Pjetri e kundërshton perspektivën e vuajtjes e të vdekjes. Atëherë Jezusi detyrohet ta qortoi me forcë, për ta ndihmuar atë të kuptoi se nuk mjafton të besosh se Ai është Zot, por të nxitur nga dashuria duhet ta ndjekim rrugës së tij, rrugës së kryqit (krh Mk8,31-33). Jezusi nuk ka ardhur për të na mësuar ndonjë filozofi, por për të na treguar udhën, atë udhë që na udhëheq drejt jetës”.
“Kjo udhë - shtoi Papa - është dashuria, e cila është shprehje e fesë së vërtetë në Zotin”:
“Nëse ndokush e do të afërmin me zemër të pastër e me bujari, do të thotë se e njeh më të vërtetë Zotin. Nëse përkundrazi ndokush thotë se beson në Zotin, por nuk i do vëllezërit, nuk është besimtar i vërtet. Zoti nuk banon në të. Në leximin e dytë të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, Shën Jakobi pohon në mënyrë të qartë: “ Në qoftë se feja nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete” (Jak 2,17).
Lidhur me këtë Papa citoi një shkrim të Shën Gjon Gojartit, njërit ndër Etërit e mëdhenj të Kishës, të cilin kalendari liturgjik na ftoi ta përkujtonim pikërisht dje më 13 shtator:
“Pikërisht duke komentuar pjesën e cituar të Letrës së Jakobit apostull, shkruan Shën Gjon Gojarti: ‘Ndokush edhe mund ta ketë fenë e drejtë në Atin e në të Birin, kështu edhe në Shpirtin Shenjt, por nëse nuk e ka edhe udhën e drejtë, feja e tij nuk do t’i shërbejë për shpëtim. Prandaj kur lexojmë në Ungjill: “Kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë” (Gjn 17,3), mos mendo se ky varg ungjillor mjafton për të na shpëtuar: është e domosdoshme që jeta dhe veprat të jenë krejtësisht të pastërta” (cit.in. J.A. Cramer, Catenae graecorum Patrum in N.I., vol. VIII: In Epist. Cath. Et Apos., Oxford 1844).
E në mbarim të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se sot Kisha kremton festën e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë e nesër festën e Zojës së Dhimbshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.