2009-09-14 14:53:22

Kryqi i Krishtit është dritë që shndrit qiellin e tokën.


(14.9.2009 RV)“Për ne, Krishti u bë i dëgjueshëm deri në vdekje. E në vdekjen e Kryqit” - kështu shkruan Shën Pali. Posa kemi përfunduar Jubileun e dymijëvjetorit të lindjes së Apostullit të popujve, të dëgjojmë përsëri disa nga fjalët bindëse e të flakta të Shën Palit mbi misterin e vdekjes së Krishtit mbi Kryq, atë Kryq të Shenjtë që e kremtojmë edhe sot me kalendar kishtar. Askush më mirë se Apostulli i Popujve, Shën Pali nuk mund të na ndihmojë ta kuptojmë thellësisht Kryqin e Krishtit.
Në Letrën drejtuar Korintianëve, Pali shkruan: “Ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj ashtu për grekë – fuqi e Hyjit e dije e Hyjit (1 Kor 1,22-24). Vdekja e Krishtit ka vlerë universale: “Një vdiq për të gjithë e, prandaj të gjithë vdiqën” (2 Kor 5,14). Vdekja e tij i dha kuptim të ri vdekjes së çdo burri e të çdo gruaje.
Para syve të Palit Kryqi ka përmasa kozmike. I mbërthyer mbi të, Krishti shembi muret që i ndajnë njerëzit e kombet, i pajtoi ata me Hyjin Atë e me të afërmin, duke shkatërruar çdo lloj armiqësie (cf Ef. 2,14-16). Prej këndej tradita e lashtë e shikon Kryqin si dru kozmik, i cili me krahun vertikal bashkon qiellin me tokën e me krahun horizontal, pajton mbarë popujt e botës. Ngjarje kozmike, e njëkohësisht tejet personale, sepse thotë Pali, Krishti: “Më deshi e flijoi jetën për mua”(Gal 2,20). Çdo njeri, shkruan Apostulli, është ai ‘për të cilin Krishti vdiq” (Rom 14,15).
Prej këndej, Kryqi i Krishtit nuk duhet parë si ndëshkim, as si shkandull, por si lavdi e krenari për çdo të krishterë, sepse përmes tij njeriu lartohet në fe e, njëzëri me Shën Palin, mund të thotë: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveçse me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit” (Gal 6,14).
Prandaj Pali e vendosi, madje e nguli Kryqin në qendër të Kishës, si ngulet direku kryesor në qendër të anijes.
Kujtojmë se kur Shën Pali shkruante kështu, kryqi ishte sinonim me turpin më të madh, ishte fjalë që nuk duhej as të përmendej, sepse shkaktonte shkandull e shikohej si ndëshkimi më i rëndë që mund të pësonte një njeri.
Më vonë Shën Agostini do të theksonte: “Tani Kryqi i Krishtit mbushi përplot botën e shkëlqen mbi kurorën e mbretërve”. Unë besoj se Krishti e mbështetur tërë dashurinë e tij, tërë dhuratën e tij, tërë aftësinë e tij të dhurimit mbi Kryq. E çdo i krishterë është i thirrur ta zbulojë këtë mister, këtë ngadhënjim të Krishtit që tërheq njerëzimin pranë vetes për tek Ati Qiellor. Shenja e Kryqit në një farë mënyre që është sinteza e fesë sonë të krishterë, sepse na thotë se sa shumë Zoti na ka dashur e na do: na thotë se, në botë, ekziston një dashuri më e fortë se vdekja, më e fortë se ligështitë tona e se mëkatet tona. “Kryqi i Krishtit, thotë Shën Gjon Damasheni, është çelësi i parajsës së qiellit”. Kryqi është drita që shndrit qiellin e tokën.







All the contents on this site are copyrighted ©.