2009-09-14 17:54:58

Evropa po del nga kriza, por ekonomia mbetet e dobët: të dhënat e Komisionit Evropian një vit pas rënies së Lehman Brothers


(14.09.2009 RV)RealAudioMP3 Evropa po del nga kriza ekonomike botërore, por niveli i pasigurisë mbetet i lartë. Kështu mësohet nga shifrat e paraqitura nga Komisioni Evropian, një vit pas fillimit të kësaj krize, me rënien e bankës së famshme amerikane Lehman Brothers. Kujtojmë se para një viti, falimentimi i Lehman Brothers u ndoq nga 107 banka amerikane, pjesa më e madhe e të cilave në vitin 2009. Administrata Obama ka paraqitur një projektligj për ndryshimin e rregullave të sistemit, por ai po has pengesa në Kongres. E njëjta gjë do të bëhet në mbledhjen e tretë të G20-ës në Pitsburg, më 24 e 25 shtator. Sipas parashikimeve, Prodhimi i Brendshëm Brut i zonës së euros dhe i krejt Bashkimit Evropian, në fund të vitit 2009, do të jetë në kuotën -4%, ndërsa inflacioni në +4%. Komisari evropian për punët ekonomike e monetare, Almunia pohoi se “gjendja është përmirësuar, por ekonomia e dobët do të vazhdojë të shkaktojë pasoja për punësimin dhe financat publike”. I kërkuam një mendim ekonomistit italian Xhakomo Vaçago:
Një përmirësim që krijon pak vende pune, pasi industria akoma po përpiqet të fuqizohet në tregun e konkurrencës. Por, duhet të themi të vërtetën: në dy vjet, parlamentet e qeveritë nuk kanë bërë reformat e duhura e gjendja mbetet e dobët! Nuk mund të përjashtojmë falimentime të tjera të bankave. Bota është globale. Bankat veprojnë në 200 vende. Industria është globale, por qeveritë kanë mbetur kombëtare. Autoritetet e kontrollit madje, janë të fragmentuara në mijëra pjesë edhe në SHBA-të. Ndihet nevoja e qeverisjes së botës globale.
Profesor, nga duhet filluar? Cilat janë rregullat bazë?
Reflektimi që duhet bërë është ky: kush bën, çfarë dhe si? E pastaj, të rishkruhen rregullat. A mund të bëjnë bankat ç’të duan? A mund të fitojnë si të duan, duke bërë spekullime apo gjëra të dobishme, si financimi i investimeve? Kush vendos rregullat duhet edhe të përcaktojë cilat janë aktivitetet e ndaluara e kujt i shkojnë fitimet. Në këtë moment, është në modë diskutimi për pagat e bankierëve. Unë dua të di: i paguajmë shumë, por bëjnë gjëra të dobishme, apo i paguajmë shumë e bëjnë gjëra të rrezikshme? Kjo është çështja.
Ndoshta, mund të përcaktojmë së pari atë që s’duhet bërë, si spekullimet…
Gjatë viteve të kaluara, është fituar tepër duke blerë e shitur sipas qejfit pasuri të luajtshme e të paluajtshme, agjensi financiare, që dihej se përmbanin rreziqe në vetvete. Kreditë, të ashtuquajtura sub-prime, u janë shitur në të gjithë botën edhe atyre që dikur quheshin “jetimë e vejusha”, pra njerëz pa tutelë. Ky aktivitet ka qenë në kufi me krimin! Sepse t’u shesësh gjëra shumë të rrezikshme njerëzve, që nuk e kanë vetëdijen për këtë, dikur ishte krim!







All the contents on this site are copyrighted ©.