Sot më 12 shtator kalendari Kishtar kremtoi festën e Emrit të Zojës Mari.
(12.9.2009 RV)Në festën e sotme kushtuar “Emrit të Marisë” avokate e njerëzve
pranë Zotit, urojmë të gjitha gratë që quhen Mari, duke kujtuar në mënyrë të veçantë,
nënat dhe motrat tona, që mbajnë këtë emër. Kujtojmë se festa kushtuar Emrit të
shenjtë të Marisë u kremtua për herë të parë, me lejën e Romës, në Kuenka të Spanjës
në vitin 1513. E ndërprerë nga Shën Piu V, nisi të kremtohej përsëri nën papninë e
Sikstit V e më pas u shtri edhe në mbretërinë e Napolit e në Milano. Më 12 shtator
1683, kur Gjon Sobieski me polakët e vet fitoi mbi hordhitë turke që kishin rrethuar
Vienën, duke kërcënuar krishterimin, i Lumi Inoçenci XI, për t’i shprehur mirënjohjen
e thellë Zotit, e shtriu festën në mbarë Kishën universale dhe e caktoi festimin të
dielën para Tetëditshes së Krishtlindjes. Papa Shën Piu X e shënoi në Kalendar më
12 shtator, kur vijon të kremtohet edhe sot. Në historinë ekzegjezit ka pasur shumë
shpjegime për kuptimin e emrit Mari. Një prej tyre e shpjegon me fjalën ‘hidhërim’.
Këtë shpjegim e japin disa Rabinë, të cilët e nxjerrin emrin Miryam nga rrënja MRR,
që në hebraishte do të thotë “të jesh i hidhur”. Sipas tyre shpjegohet kështu nga
Maria, motra e Moisiut, që u quajt me këtë emër, sepse kur lindi, Faraoni nisi ta
bëjë gjithnjë më të hidhur jetën e hebrenjve. Edhe ne, të krishterët, mund ta
pranojmë këtë shpjegim, duke pasur parasysh hidhërimin e thellë që përballoi Virgjëra
Mari në rrugën e Kryqit për shëlbimin tonë. Shpjegime të tjera janë: “Mësuese e
Zonjë e detit”, nga hebraishtja Moreh (Zonjë) dhe Yam (det), gjithnjë lidhur me Marinë,
motrën e Moisiut, që ishte mësuese e grave hebreje kur kalonin Detin e Kuq. Virgjëra
Mari është Mësuese e Zonjë e detit të këtij shekulli, të cilin na bën ta kapërcejmë
duke na shoqëruar drejt qiellit. “Ndriçuese, Yll i detit”, nga parashtesa hebraike
emërore M + Or (dritë) + Yam (det). “Shi stinor” – nga hebraishtja Moreh – shiu
i parë i stinës. Maria konsiderohet si ajo që resh nga qielli një shi hiresh. “Lartësi”
nga hebraishtja Marom – Lartësi qiellore. Tek Shën Luka gjejmë shprehjen “Na ka vizituar
një diell që lind “nga lart” e kjo fjalë “Nga lart” është shpjeguar “nga Maria”. Cila
është më e drejta nga të gjitha këto hamendje? Ndoshta Provania hyjnore na la në dyshim,
që në emrin e Marisë të gjejmë njëkohësisht të gjitha kuptimet që na shtjellon analogjia
e fesë .