Më 13 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i
Kishës
(13.9.2009 RV)Më 13 shtator, kalendari
kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i Kishës, në 1602 vjetorin
e vdekjes. Këngëtar i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit. I njohur si një nga Etërit
e mëdhenj të Kishës së Lindjes, Shën Gjon Gojarti vdiq më 14 shtator të vitit 407
duke lënë pas shkrime, që ruajnë ende forcën me të cilën patën tërhequr dikur dëgjuesit.
Prandaj në shekullin VI qe thirrur Gojartë. Shën Gjon Krizostomi, kryeipeshkëv i Kostandinopojës
në vitin 398, ia kushtoi apostullimin e tij nxitjes së besimtarëve për të jetuar ndershmërisht,
duke u përpjekur t’i mundnin ligështitë njerëzore. Fliste shpesh për mëkatin, për
të rizgjuar ndjenjën e përgjegjësisë, dëshirën për t’u ngritur përsëri në këmbë edhe
pas rënieve, me forcën që buron nga Sakramentet. Shtyllat e doktrinës së tij
morale janë pendesa, lëmosha e pajtimi. Ajo që të bën për vete në predikimit e Shën
Gjonit, është stili dhe aftësia e rrallë e gojtarit. Predikimet e tij nuk të lodhin,
edhe pse nganjëherë tepër të gjata, sepse janë plot gjallëri, të lidhura ngushte me
jetën konkrete, të pasura me vlera dhe ide të reja. Gjoni XXIII e zgjodhi Pajtor
të Koncilit II të Vatikanit. Gjon Pali II, në enciklikën “Sollecitudo rei socialis”
kujtoi atë që ka shkruar Shenjti, duke komentuar Ungjillin sipas Mateut për salltanetet
e vendeve të kultit: “Kur mendon për të varfërit, nuk mund të të kënaqin zbukurimet
e tepërta të Kishave dhe orenditë e çmuara të kultit hyjnor; përkundrazi, këto pasuri
mund të shiteshin për t’u dhënë bukë, ujë, veshje e strehë atyre që nuk i kanë”.
Po cili është kontributi i posaçëm teologjik i Gjon Gojartit? Teoria e pranimit,
sipas së cilës Hyji vjen tek ne, sepse ne nuk mund të arrijmë deri tek Ai, është një
nga kryeveprat e tij, një ndër pjesët më të rëndësishme të teologjisë së tij. Ndër
homelitë, me përmbajtje të thellë ekzegjetike, e përqendron predikimin kryesisht tek
përdorimi i pasurive në dobi të shoqërisë. E ç’na mëson Shën Gjon Krizostomi?
Na mëson ta shikojmë Kishën si bashkësi, përmes përdorimit të pasurive në shërbim
të të gjithë anëtarëve, përmes ndershmërisë morale e, sidomos, përmes predikimit dhe
vënies në jetë të Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot. Po me ç’sy mund t’i lexojmë sot
shkrimet e Shën Gjon Krizostomit? Ashtu si në rastin e të gjithë etërve të Kishës,
leximi i veprave të Shën Gjonit është jashtëzakonisht i dobishëm dhe i nevojshëm për
jetën shpirtërore të të krishterit, por duke pasur parasysh rrethanat shoqërore e
fetare në të cilat jetoi e veproi Shenjti, të cilat ndryshojnë shumë nga ato të ditëve
tona. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm teologjikë, Shën Gjon Gojarti ka
lënë edhe një ritë e traditë liturgjike që është e përhapur në Kishën bizantine e
që njihet si liturgjia e Gjon Krizostomit. Kështu Kisha bizantine e ka nderuar kujtimin
e Shenjtit duke ua lënë trashëgim pasardhësëve shkrimet e tij, duke ia promovuar kultin
e duke ia paraqitur besimtarëve si shembull përshpirtërie, që meriton të ndiqet. Në
një farë mënyre Shën Gjon Krizostomi është bërë pajtor i liturgjisë që mban emrin
e tij, që e përdori, ndonëse mendohet se nuk është krijuesi i saj. Në katekizmat
e tij eukaristike, Shën Gjon Krizostomi një herë shkroi: “Ç’ thua ashtu, o Moisi?
Gjaku i një qengji i pastron njerëzit? I shpëton nga vdekja? E si mundet gjaku i një
kafshe t’i pastrojë njerëzit, t’i shpëtojë njerëzit, të ketë pushtet mbi vdekjen?”.
Në të vërtetë – vijon Krizostomi – qengji mund të ishte vetëm një gjest simbolik;
simbolizonte pritjen dhe shpresën në Dikë, i cili do të ishte në gjendje të bënte
atë që nuk mund ta bënte flijimi i qengjit. “Jezusi i kremtoi Pashkët pa qengj
e pa tempull e megjithatë - nuk kremtoi pa qengj e pa tempull. Ishte ai vetë qengji
i pritur, i vërteti, ashtu si e kishte parafolur Gjon Pagëzuesi në fillim të misionit
publik të Jezusit: “Ja Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës”. Është Ai tempulli
i vërtetë, tempulli i gjallë, në të cilin banon Zoti e në të cilin mund ta takojmë
Hyjin e ta adhurojmë. Gjaku i tij, dashuria e Atij që është njëherësh Bir e Hyj e
njeri i vërtetë, njëri nga ne, ky gjak mund të shpëtojë”. Dashuria e Tij, dashuria
me të cilën ai dhurohet vullnetarisht për ne, është ajo që shëlbon. Gjesti i përmallshëm,
në një farë mënyre i pafryt, që ishte flijimi i qengjit të pafaj e të panjollë, gjeti
përgjigje në Atë që u bë për ne qengj e tempull njëherësh. “Kështu në qendër
të Pashkëve të reja të Jezusit ishte kryqi! Prej tij vinte dhurata e re që na solli
Ai. E kështu Ai mbet përgjithmonë në Eukaristinë Shenjte, në të cilën mund të kremtojmë
me apostujt në rrjedhë kohe, Pashkët e reja. Tani ai na dhurohet ne”. “T’i lutemi
Zotit që ta kuptojmë gjithnjë më thellë këtë mister të mrekullueshëm, ta duam gjithnjë
më shumë e në të, ta duam gjithë më tepër vetë Krishtin. Të lutemi që kungimi shenjt
të na tërheqë gjithnjë më shumë brenda vetes e të na ndihmojë të mos e mbajmë jetën
tonë për vete, por t’ia dhurojmë Atij, e kështu të veprojmë së bashku me Të, që njerëzit
të gjejnë jetën – jetën e vërtetë, e cila mund të vijë vetëm nga Ai që është vetë
Rruga, e Vërteta, Jeta”. ******** Nga arkivi: Benedikti XVI në audiencën
e përgjithshme, kushtuar Shën Gjon Krizostomit, foli për “Qytetin me shpirt e me fytyrë
të krishterë, solidar me të varfërit”. (26.09.2007 RV) “Me Shën Gjon Krizostomin
nis vizioni i qytetit të ndërtuar nga ndërgjegjja e krishterë, në të cilin njeriu,
edhe ai më i varfëri, ka vendin e vet e dinjitetin e vet”. Është ky një prej mendimeve
të shprehura nga Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur
në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Sot, duke ia kushtuar për herë të dytë katekizmin
figurës së Shën Gjon Gojartit, Papa vuri theksin mbi vlerën aktuale të mësimeve të
tij, që e bënë Shenjtin një nga pararendësit e Doktrinës shoqërore të Kishës. Njeri
tepër i thjeshtë, në mes të salltanetit të oborrit perandorak bizantin. I mahnitur
nga modeli i bashkësisë së parë të krishterë, të bashkuar nga ndjenjat e vëllazërisë
së vërtetë, që nuk i vlerësonte njerëzit sipas pozitës shoqërore, por sipas fesë.
Kështu ia paraqiti Papa 20 mijë besimtarëve, mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit,
figurën e një shenjti revolucionar, që jetoi 1600 vjet më parë, aktual edhe për ditët
e sotme. Njeri me zemër të mirë, të ëmbël e atërore me të gjithë, nuk mundi të krijonte
një strehë të sigurtë, për t’u mbrojtur nga kundërshtimet, persekutimet dhe internimet.
U internua dy herë e ndërroi jetë pikërisht gjatë internimit të dytë, në vitin 407.
Në sa jetonte në Kostandinopojën e pallateve perandorake, ndërmjet intrigave të oborrit,
Krizostomi – shpjegoi Papa – nuk u fsheh pas njerëzve të kamur, por zgjodhi thjeshtësinë,
duke nisur nga pallati arqipeshkvnor – e jashtë tij, zgjodhi të varfërit e familjet,
që qenë gjithnjë në qëndër të vëmendjes së veprimtarisë së tij baritore. U frymëzua
përherë nga modeli i Kishës së të krishterëve të parë, prej nga i lindi vizioni i
‘qytetit ideal’: “Krizostomi, ashtu si Shën Pali, mbronte përparësinë e të krishterit,
parë si individ, si njeri i veçantë, edhe të skllavit e të të varfërit. Projekti i
tij korrigjon kështu vizionin grek të ‘polisit’, të qytetit, në të cilin masat e gjëra
të popullsisë përjashtoheshin nga e drejta e qytetarisë, ndërsa në qytetin e krishterë
të gjithë janë vëllezër e motra, me të drejta të barabarta”. Shën Gjon Gojarti
– vijoi Papa – e kishte kuptuar se ideja e vjetër e polisit grek duhej zevendësuar
me atë të qytetit të frymëzuar nga feja, për të cilin flet Ungjilli. Ja sepse me të
– shpjegoi Benedikti XVI – filloi vizioni i një qyteti të ndërtuar nga ndërgjegjja
e krishterë, që i bën të gjithë të barabartë, i bën vëllezër e motra e i edukon me
frymën e solidaritetit. “I duhej dhënë një shpirt e një fytyrë e krishterë qytetit.
Me fjalë të tjera, Krizostomi e kuptoi se nuk mjaftonte dhënia e lëmoshës, as ndihma
e herë pas hershme e të varfërve, por ishte e nevojshme të krijohej një strukturë
e re, një model i ri i shoqërisë; një model i bazuar mbi perspektivën e Besëlidhjes
së Re. Është shoqëria e re që nis të shfaqet në Kishën e posalindur”.I famshëm për
gojtarinë e tij, edhe në Romën e re, dmth në Kostandinopojë, Krizostomi u bë i njohur
nga të gjithë si mësues i fesë e dëshmitar i dashurisë së krishterë – tha Papa dhe
në vijim theksoi katër karakteristika kryesore të kësaj figure madhore të Kishës:
së pari, nënvizoi ndjeshmërinë e Shenjtit antiokian ndaj Krijimit, parë si akti më
i lartë i dashurisë së Zotit; së dyti, vëmendjen që i kushtoi shpjegimit të Shkrimit
Shenjt i cili, sipas Atit të Kishës, krijon mundësinë për ta deshifruar vetë Krijimin.
Së katërti, Papa vuri në dukje veprimin e Shpirtit Shenjt në zemrën e njeriut, por
duhet theksuar – vijoi Shenjtëria e Tij - se është karakteristika e tretë ajo që zbulon
gjithë humanizmin dhe fenë e ipeshkvit të lashtë të Kostandinopojës, bindjen e patundur
se: “Hyji… zbret vetë, mishërohet, bëhet vërtetë ‘Hyji me ne’, vëllau ynë deri
në vdekje në Kryq”.