2009-09-12 14:44:01

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit ‘B'


(12.9.2009 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Tema e përgjithshme e leximeve biblike të kësaj së diele është luftimi kundër rivalitetit, xhelozisë, vrapimi për vende të para. Si Besëlidhja e Vjetër po kështu edhe Besëlidhja e re na tërheqin vëmendjen të ruhemi kundër shkaqeve që provokojnë dhunën ndërmjet njerëzve. E një tjetër temë tejet e rëndësishme që na propozon Ungjilli i kësaj së diele është zbulimi, pra njohja e identitetit të Jezu Krishtit dhe thirrje për ta ndjekur në udhën e tij të kryqit.
Dhuna e bakëqijve e shuan zërin e të drejtëve, mirëpo Zoti i dëgjon të drejtët e është besnik ndaj tyre. Na pohon leximin e parë.
Dyshimi, koprracia, lakmia, smira janë rrënjët e çdo lufte, e vetëm duke njohur e pranuar praninë e Zotit, zemrat tona mund të pajtohen e të jenë pajtuese. Pohon leximi i dytë.
Hyji na thërret përmes Ungjillit, për të hyrë në posedimin e lavdisë së Zotit tonë Jezu Krisht.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele fillon me pjesën e dytë të Ungjillit të Markut. Krishti është ai që jep jetën për ne, e paralajmëron e avancon profecinë e mundimet të tij, vdekjes e ngjalljes së tij. Nxënësit e tij janë të ftuar ta ndjekin në udhën e tij të kryqit.
“Me asgjë tjetër nuk mburrem përveç se me kryqin e Krishtit”. Fjalët e Palit apostull, të përdorura këtë diel si varg për shpalljen e ungjillit, na ndihmojnë të hyjmë në zemër të fjalës së Zotit të kësaj së diele: “ Me asgjë tjetër nuk mburrem përveç se me kryqin e Krishtit, përmes të cilit për mua bota u kryqëzua e unë për botën”.
Në udhën tonë prej dishepulli të Zotërisë Jezus, të shoqëruar nga Marku ungjilltar, kemi mbërri në njërin prej çasteve më të rëndësishme, kyçe: Jezusi, pasi ka predikuar gjatë, pasi bëri mrekulli e shërimet e të sëmurëve, pasi i dërgoi nxënësit e tij në mision, bënë pyetjen vendimtare: “Çka thonë njerëzit, kush am unë?”, e sidomos ju, nxënësit e mi, që më keni ndjekur deri këtu, ditë pas dite, që bashkë me mua keni bërë shumë udhë, që jeni dëshmitarë të veprave të mia e të fjalëve të mia, “ju, kush thoni se jam unë?”
Kësaj pyetje Pjetri apostull nuk i ikë: “Ti je Krishti”. Rrëfimi i fesë së tij është pika e parë e arritjes në dinamikën e ungjillit të Markut: nga mahnitja fillestare arrihet tek zbulimi, tek dëftimi i identitetit të Jezusit. Mirëpo është vetëm pikënisje: fillon dëftimi i ri, ai i Birit të njeriut, i paracaktuar në kryq: “E filloi t’u mësojë atyre se Birit të Njeriut i duhet të pësojë e vuan shumë, të vihet në sprovë e të përbuzët nga pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët, pastaj do të vritet e, pas tre ditësh, të ngjallet”.
Nga ai moment jeta e Jezusi bëhet një ecje (vajtje) drejt vdekjes: është një udhëtim i gjatë me një cak të qartë e të saktë. Luka ungjilltar, duke treguar të njëjtin episod, thotë se Jezusi “mori vendim të palëkundshëm, e ngurtësoi fytyrën” dhe u nis drejt Jerusalemit (Lk 9,51).
“Atëherë Pjetri...nisi ta qortoi”. Reagimi negativ i Pjetrit përballë këtij dëftimi e mishëron dhe rrëfen reagimin e njerëzve të të gjitha kohërave para misterit të kryqit. Reagim që i përgjigjet një logjike thjeshtë e krejtësisht njerëzore. Logjikë njerëzore të cilën e gjejmë përsëri në tregimin ungjillor të mundimit të Jezusit në gojën e disa personazheve aty të pranishëm: priftërinjtë e krerët e popullit e sfidonin: “i ka shpëtuar të tjerët, le ta shpëtoi vetveten nëse është Krishti”; ushtarët e përqeshnin, e vinin në lojë me titullin mbretëror; cubi, i shtyrë nga dëshpërimi e nga trishtimi, e provokon Jezusin mbi kryq: “Nëse ti je Krishti? Shpëto veten e edhe ne!”.
Qortimit të Pjetrit, Jezusi i përgjigjet me fjalë të forta: ky reagim vjen nga djalli. Në të vërtetë, zemra apo thelbi i fesë në Jezusin si ‘Krishti’, Mesia i premtuar e i dërguari i Atit Qiellor, është pikërisht kjo: të besosh në lavdinë e Birit të Zotit e njëherësh të pranosh turpin, poshtërimin e kryqit. Shën Pali pohon se “duhet njohur të kryqëzuarin”. Përderisa nuk kuptohet e pranohet kjo, aderimi ndaj Krishtit mbetët i brishtë e i paqëndrueshëm.
Të kuptosh e pranosh realitetin e kryqit do të thotë të kuptosh e pranosh që ajo çka që ka ndodhur në Krishtin ‘duhet’ të ndodh edhe në çdo të krishterë. Kryqi bëhet një prej ligjeve themelore të jetës së të krishterit. Për të hyrë në lavdi, Jezusi ka shkuar drejt kryqit. Tani nxënësi duhet t’i përshkojë gjurmët e mësuesit, “të shkoi pas tij’. Çdo ditë duhet të marrë kryqin e vet mbi krahë: “Nëse ndokush don të vij pas meje, le ta mohoi veten, le ta marrë kryqin e vet e të më ndjek. Sepse kush don ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë; e kush don të humbë jetën e vet për shkakun tim e të ungjillit, do ta shpëtojë”.
Krishti Zot sot, na kujton se kryqi, flijimi, vuajtja janë pjesë të paelimueshme, pjesë që nuk mund të shkëputen nga jeta jonë dhe se këto realitete marrin kuptim vetëm nëse janë të lidhura me Të e Atij i referohen. Nëse duam të vihemi gjurmëve të tij, duhet të fillojmë ta mohojmë vetveten, të mohojmë atë pjesë tonën që nuk don të besoj, atë pjesë tonën që nuk don të jetë besimtar e besnik deri në fund, pa kompromise, la lëshime, pa devijime duke paguar çmimin më të lartë me jetë për shkak të Jezusit e Ungjillit të Tij.
Në të gjitha këto të diele, thirrja e Jezusit ka qenë gjithnjë ajo e përcaktimit përfundimtar e rrënjësor, që nuk pranon kompromise. Të jesh vërtet besimtar, të jesh i ndershëm, autentik sot kushton e kërkon flijime të mëdha: edhe kjo është pjesë e kryqit të cilin çdo ditë duhet ta bartim.
Leximi i parë Is 50, 5-9

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua? Le të dalim përballë njëri-tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë! Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë? Të gjithë ata do të brishtohen si petku, tenja do t’i brejë!
Fjala e Zotit.


Psalmi 115

Do të eci në praninë e Zotit
----------
E dua Zotin sepse e dëgjon
zërin e lutjes sime;
sepse mbi mua e pruri veshin e vet
atë ditë që e thirra në ndihmë.
----------
Më kishin rrethuar leqet e vdekjes,
më kishin shtrënguar leqet e nëntokës,
më ndrydhën trishtime e dhembje.
Emrin e Zotit e thirra në ndihmë:
“Deh, o Zot, ma shpëto jetën!”
----------
I mirë e i drejtë është Zoti,
Hyji ynë është vetë mirësia!
Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve:
isha ngushtë e Ai më shpëtoi!
----------
Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes,
sytë e mi prej lotve,
këmbët e mia prej rënies.
Do të eci në praninë e Zotit
në tokën e të gjallëve.
----------

Leximi i dytë Jak 2, 14-18

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: “Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!”, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?!
Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete. Por ndokush mund të thotë: “Ti ke fenë, kurse unë kam veprat.” Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do ta tregoj prej veprave të mia fenë.
Fjala e Zotit.



Ungjilli Mk 8, 27-35

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.”
Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” – i përgjigji Pjetri. Ai u urdhëroi rreptësisht të mos i tregojnë askujt këtë gjë për të.
Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. Ua tha këto krejt haptas.
Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. Jezusi u suall, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djallë, se nuk i ke ndërmend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.”
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.