2009-09-12 16:50:31

Kongresi i organizuar nga jezuitët në Granada: “Myslimanë dhe evropianë. Një objektiv për t’u arritur!”


(12.09.2009 RV)Islami mund të lëshojë rrënjë në Evropën e krishterë e të integrohet plotësisht në demokracitë perëndimore, vetëm duke kryer një evolucion të vërtetë, duke iu përshtatur larmive të konteksteve institucionale, karakteristike për vendet e ndryshme evropiane, ku jetojnë emigrantët myslimanë. Ky është edhe një nga përfundimet, në të cilin u arrit në “Eurojess 2009”, kongres i organizuar nga 25 deri më 29 gusht në Granada të Spanjës, nga jezuitët evropianë, të impenjuar në veprimtarinë shoqërore. Takimi, me temë “Popullsitë myslimane në shoqëritë evropiane”, pati si qëllim të thellohej – edhe përmes përvojës së jetës së përditshme - në analizën e fenomenit, për t’u dhënë përgjigje sfidave, që vijojnë të krijohen me shtimin e pranisë myslimane në Kontinentin e Vjetër.
Teologët më të përgatitur katolikë në fushën e studimeve të islamistikës, bënë disa nga pyetjet më themelore për bashkëjetesën fetare në Evropë. Ndërmjet tyre: “A është e mundur të jesh njëkohësisht mysliman dhe evropian, në se këto dy terma do ta përjashtonin njëra-tjetrën?”.
Një pyetje e tillë e ka rrënjën e vet në problemet shoqërore, që lindin nga emigrantët, sidomos nga ata afrikanë e aziatikë, nga doket e zakonet e tyre patriarkale, në kundërshtim të plotë me vlerat perëndimore; por edhe nga niveli i ulët i formimit e nga sjelljet e tyre fetare, krejtësisht të ndryshme nga vizionet moderne liberale.
Por, nuk duhet harruar se Islami në Evropë është fenomen i lashtë. Ka një histori të gjatë e të pasur. Sidomos në Spanjë. E duhet pasur parasysh se pikërisht falë kësaj pranie të lashtë, demokracitë perëndimore i lejojnë myslimanët ta praktikojnë lirisht fenë e tyre, të ndërtojnë xhami, të themelojnë organizata islamike. Megjithatë, sfidat nuk mungojnë. Kryesoret janë tri: “Krijimi i një Islami vërtetësisht evropian; përshtatja e ligjit fetar, posaçërisht e fatwa-s, rrethanave evropiane; qytetaria e përkatësia shoqërore”.
Po kësaj prirjeje për hapjen e portave, myslimanët duhet t’i përgjigjen me një sjellje paqësore, shoqëruar me përshtatjen në kontekstet insitucionale të çdo kombi, ku jetojnë.
Kujtojmë edhe se Kongresi zgjodhi Atë Andreas Gosele president të ‘Eurojess” për dy vjetët e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.