Vatikani myslimanëve në fund të Ramazanit: sëbashku kundër varfërisë, që sjell ekstremizëm
e urrejtje fetare.
(11.09.2009 RV)Në mesazhin tradicional të Vatikanit për myslimanët, në fund
të Ramazanit, kardinali Zhan Lui Turan vë në dukje hapa pozitive në marrëdhëniet ndërmjet
dy feve të mëdha, Katolicizmit dhe Islamit. "Kemi kaluar nga toleranca në takime -
thekson ai - e tani është momenti i luftës së përbashkët kundër varfërisë, që prodhon
ekstremizëm e dhunë fetare. Por ja mesazhi i plotë: Të dashur Miq
Myslimanë,
1. Me rastin e përfundimit të muajit të
Ramazanit, dëshiroj t’ju bëj urimet e mia për paqe dhe gëzim e, nëpërmjet këtij Mesazhi,
t’ju ftoj për një reflektim të përbashkët mbi temën: Të Krishterë dhe Myslimanë: së
bashku për të mundur varfërinë.
2. Pa dyshim duhet
të gëzohemi kur konstatojmë se ndër vite ky Mesazh i Këshillit Papnor për Dialogun
Ndërfetar është bërë jo vetëm traditë, por edhe takim i shumëpritur. Në shumë vende,
ai është rast për një takim miqësor ndërmjet të Krishterëve dhe Myslimanëve të shumtë.
Madje, jo rrallëherë ndodh që ai t’i përgjigjet një shqetësimi të drejtë që bashkëndajmë
për shkëmbime besimplote dhe të çiltëra. A nuk përbëjnë të gjithë këto elemente shenja
miqësie mes nesh për të cilat duhet falënderuar Zoti?
3.
Për të mbërritur tek tema e këtij viti, njeriu që ndodhet në situata varfërie është
në mënyrë të pamohueshme në qendër të urdhërimeve të cilat, në mënyra të ndryshme,
i kemi për zemër. Kujdesi, mëshira dhe ndihma që të gjithë, burra dhe gra, mund t’i
ofrojmë atij që është i varfër për t’i dhënë përsëri vendin e tij në shoqërinë njerëzore,
është një provë e gjallë e Dashurisë së Tejetlartit, sepse është njeriu si i tillë,
të cilin Ai na grish ta duam dhe ta ndihmojmë, pa dallim përkatësie. Ne
e dimë të gjithë se varfëria poshtëron dhe prodhon vuajtje të padurueshme; ato janë
shpesh burimi i izolimit, i zemërimit, madje i urrejtjes dhe i dëshirës për hakmarrje.
Kjo gjë mund të nxisë veprime armiqësie me të gjitha mjetet e mundshme, duke u përpjekur
t’i përligjim ato edhe me vlerësime të karakterit fetar: të përvetësojnë, në emër
të një “drejtësie hyjnore” të rreme, pasurinë e tjetrit, përfshirë këtu edhe paqen
dhe sigurinë e tij. Për këtë arsye mospranimi i fenomeneve të ekstremizmit dhe të
dhunës kërkon medoemos luftë kundër varfërisë, përmes nxitjes së zhvillimit të gjithanshëm
njerëzor, që Papa Pali VI e quajti “emri i ri i paqes” (Letra Enciklike Populorum
Progressio, 1975, n.76). Në Letrën e fundit Enciklike Caritas in Veritate
mbi zhvillimin e plotë të njeriut në dashuri dhe në të vërtetë, Shenjtëria e Tij Papa
Benedikti XVI, duke pasur parasysh rrethanat aktuale të përpjekjeve në dobi të zhvillimit,
vë në dukje, ndër të tjera, nevojën për një “sintezë të re humaniste” (n. 21) e cila,
duke ruajtur hapjen e njeriut ndaj Zotit, duhet ta rivendosë atë “në qendër dhe në
majë të gjithsa ekziston mbi tokë” (n.57). Prandaj, zhvillimi i vërtetë i përket “çdo
njeriu dhe të gjithë njerëzve” (Populorum Progressio, n.42).
4.
Në predikimin e tij të datës 1 janar 2009, me rastin e Ditës Botërore të Paqes, Papa
Benedikti XVI, dallonte dy tipe varfërie: varfërinë që duhet luftuar dhe varfërinë
që duhet zgjedhur. Varfëria që duhet luftuar është para syve të të gjithëve:
uria, mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e kujdesit mjekësor dhe e banesave të përshtatshme,
mungesa e sistemeve edukuese e kulturore, analfabetizmi, por pa heshtur për ekzistencën
e formave të reja të varfërisë “si për shembull në shoqëritë e pasura dhe të përparuara,
... fenomenet e mënjanimit shoqëror, të varfërisë relacionale, morale dhe shpirtërore”
(Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2009, n.2). Varfëria që duhet zgjedhur
është ajo që të grish të kesh një stil jete të thjeshtë dhe thelbësor, që shmang shpërdorimin,
respekton ambientin dhe të gjitha të mirat e Krijimit. Kjo varfëri, të
paktën gjatë disa periudhave të vitit, është edhe ajo e përkormërisë dhe e agjërimit.
Varfëria e zgjedhur krijon kushtet për të dalë prej guackës sonë dhe për t’u bërë
zemërgjerë.
5. Si besimtarë, dëshira për të kërkuar
së bashku zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme përballë shuplakës së varfërisë do
të thotë edhe reflektim mbi problemet e vështira të kohës sonë dhe, kur është e mundur,
të angazhohemi së bashku për të gjetur një përgjigje. Në këtë kuptim, është e nevojshme
që referimi tek aspektet e varfërisë që lidhen me globalizmin e shoqërive tona të
marrë një kuptim shpirtëror dhe moral, sepse ndajmë së bashku thirrjen për të ndërtuar
një familje të vetme njerëzore, në të cilën të gjithë – individë, popuj dhe kombe
– i rregullojnë sjelljet e tyre sipas parimeve të vëllazërisë dhe të përgjegjësisë.
6.
Një studim i kujdesshëm i fenomenit kompleks të varfërisë na çon ta shohim në themel
zanafillën e saj tek mungesa e respektimit të dinjitetit të njeriut, që nga lindja,
dhe na nxit për një solidaritet global, për shembull, nëpërmjet adoptimit të një “kodi
etik të përbashkët” (Gjon Pali II, Fjala në Akademinë Papnore të Shkencave Shoqërore,
27 prill 2001, n.4), rregullat e të cilit nuk do të kishin vetëm një karakter konvencional,
por do të ishin të rrënjosura në ligjin natyror të skalitur prej Krijuesit në ndërgjegjen
e secilës qenie njerëzore (ref. Rom 2, 14-15).
7.
Duket se në vende të ndryshme të botës kemi kaluar prej tolerancës tek një takim i
përbashkët, duke filluar prej jetesës të përbashkët dhe prej bashkëndarjes së shqetësimeve.
Tashmë ky është një synim i rëndësishëm që është realizuar. Duke vënë në
dispozicion të të gjithëve pasurinë e lutjes, të agjërimit dhe të mirësisë për njëri-tjetrin,
a nuk është ndoshta e mundur që dialogu t’i mobilizojë forcat e gjalla të atyre që
janë në ecje drejt Zotit? I varfëri na pyet, na sfidon, por mbi të gjitha ai na fton
që të bashkëpunojmë për një kauzë fisnike: ta mundim varfërinë e tij!