2009-09-11 13:47:34

Tetë vjetori i atentateve terroriste islamike kundër SHBA-së


(11.9.2009 RV)Amerika në 'Ground Zero' përkujton viktimat e terrorizmit islamik. Më 11 Shtator 2001 dy avionë amerikanë, të rrëmbyer nga terroristë islamike, godasin dy kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe një tjetër avion Pentagonin, duke shkaktuar me mijëra të vdekurve dhe shkatërrimin e plotë të kullave.
Amerika pra edhe sivjet përkujton viktimat e atentateve terroriste islamike të 11 shtatorit 2001 me një cerimoni përkujtimore që zhvillohet çdo vit, në Nju Jorku në vendin "Ground Zero”.Tetë vjet pas sulmeve terroriste islamike kundër ''World Trade Center'' (WTC), emrat e 2752 viktimave do të përmenden një nga një gjatë ceremonisë përkujtimore që organizohet që prej tetë vjetësh në vendin ku ngriheshin rrokaqiejt binjakë prej 170 katesh në Nju Jork. Sërish do të mbahen disa minuta heshtje në orën kur avioni i parë u përplas me kullën e parë, dhe më pas kur avioni i dytë goditi të dytën, që shkaktuan menjëherë shembjen e së parës dhe më pas të gradaçelës së dytë.
Këtë vit, emrat e viktimave të terrorit islamik do të lexohen nga të afërmit dhe nga vullnetarët. Në mbrëmje do të ndizen 88 pishtarë në kujtim të operacioneve të shpëtimit.
Ende sot, gjëja e parë që të bie në sy në këtë vend kaq tragjik në Ground Zero ku, si në një film tmerresh, humbën jetën me mija vetë, është një kryq 7 metra i lartë: dy copa trarësh prej çeliku, të nxjerra prej gërmadhash nga një punëtor, një ditë pas tragjedisë së 11 shtatorit të vitit 2001, e të kryqëzuara për t’i siguruar njerëzit e pushtuar nga tmerri e dhimbja, se Zoti nuk i kishte braktisur.
Këtë vend simbol e vizitoi edhe Papa Benedikti XVI në prill të vitit të kaluar gjatë vizitës së tij në SHBA.. E me rastin e vizitës së tij në Ground Zero, Ati i Shenjtë Benedikti XVI i drejtoi Hyjit këtë lutje që u lartua nën Kryqin e besimit e të shpresës, pikërisht në atë vend ku më 11 shtatorin e vitit 2001 ndokush pati bërë pyetjen tepër të vështirë “Ku ishte Zoti?”.
 
Lutja
O Hyj i dashurisë, i mëshirës e i pajtimit,
drejtoi sytë e Tu mbi ne, popull i feve e i traditave të ndryshme, mbledhur sot në këtë log, skenë e dhunës dhe e dhimbjes së pabesueshme.
Të lutemi që, me mirësinë Tënde,
t’u japësh pushimin e pasosur e dritën e pambaruar
të gjithë atyre që vdiqën në këtë vend;
të parëve, që vrapuan të japin ndihmën e tyre:
zjarrfikësve, policëve, punonjësve të ndihmës së shpejtë e personelit të Kapitenerisë së Portit, së bashku me të gjithë burrat e gratë e pafajshme, viktima të kësaj tragjedie vetëm sepse puna e tyre e shërbimi i tyre i thirri këtu më 11 shtator 2001.

Të lutemi, me mëshirën tënde,
t’i shërosh ata
që sot, për shkak të pranisë së tyre këtu
i ndjejnë fort dhimbjet e plagëve e të sëmundjeve .
Shëroi, o Zot, edhe familjet, që vuajnë e qajnë ende,
e të gjithë ata që humbën të dashurit në këtë tragjedi.
Jepu forcën ta vijojnë rrugën e jetës
me guxim e shpresë.

Kujtojmë edhe ata që vdiqën,
u plagosën
e të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur
në të njëjtën ditë, në Pentagon e në Shanksvil, në Pensilvani.
Zemrat tona bëhen një me zemrat e tyre,
Rrahin njëherësh me to.
Lutja jonë përfshin gjithë dhimbjen e tyre.

O Zot i paqes, jepi paqen tënde kësaj bote plot dhunë -
Paqe në zemrat e të gjithë burrave e grave,
e paqe ndërmjet Kombeve të tokës!
Bëj t’i kthejnë hapat në udhën tënde të dashurisë,
ata që i kanë mend e zemër
të prishura nga urrejtja.

O Hyj i mirëkuptimit:
të dërrmuar nga përmasa e përbindshme e kësaj tragjedie,
kërkojmë dritën tënde e udhëheqjen Tënde,
ndërsa jemi para një ngjarjeje kaq të llahtarshme.

Të lutemi që njerëzit, jetët e të cilëve u kursyen,
të jetojnë në një mënyrë të tillë,
që të mos e bëjnë të kotë
flijimin e atyre që këtu e humbën jetën.
Ndihmona e ngushëllona,
përforcona në shpresë
e na jep urti e guxim
të punojmë pa u lodhur kurrë për një botë
ku mbretëron paqja e dashuria e vërtetë ndërmjet Kombeve e në zemrat e të gjithëve!

Në përfundim të lutjes, Ati i Shenjtë Benedikti XVI ndezi një qiri dhe dha bekimin apostolik pikërisht atje, ku tetë vjet më parë lartohej “The World Trade Center” (Dhe Uorld Trejd Sentër) së cilës më 2012 do t’ia zërë vendin “The New World Trade Center” (Dhe Nju Uorld Trejd Sentër), vepër e arkitektit amerikan, Daniel Libenski.







All the contents on this site are copyrighted ©.