Me 11 shtator kalendari Kishtar kujton Shenjtorët Proti e Jaçinti, martirë të Romës
(11.09.2009 RV)E vërteta historike e dy martirëve romak është një fakt i padiskutueshëm:
përkujtimi i tyre në të vërtetë kremtohet në Depositio martyrum të Romës, në Sakramentarin
Gjelazian, në atë Gregorian, në Libra të ndryshëm kishtar e në Kalendarin prej mermeri
të Napolit. “Proti e Jaçinti qenë varrosur në varrezën e Basilës, në një varr në mur,
të cilin papa Damasi, në shekullin e IV, e rregulloi. Pra e Premtja e Madhe e Pashkëve
të vitit 1845 qe një nga ditët më të rëndësishme për historinë e arkeologjisë. Këtë
ditë, rast më tepër i pashoq, sesa i rrallë, u gjet i paprekur, varri i një shenjti
martir, që kishte këtë mbishkrim: “DP III IDUS SEPTEBR YACINTHUS MARTYR”. Falë këtij
zbulimi, u mësua, më në fund, ku kishin përfunduar reliket e dy prej shenjtorëve më
popullor, Protit e Jaçintit, martirë romak. Prej shekujsh mendohej se reliket e dy
shenjtorëve ruheshin në Romë, në Kishën e Shën Gjonit të fiorentinëve, ndërsa varri
i paprekur, i vulosur, i tyre, u gjet në katakombën e Basilës, në perëndim të rrugës
së re Salaria. Pak më tej u zbulua edhe një copëz rrase, mbi të cilën shkruhej:
“Varri i Shën Protit M.”, gjë që vërtetonte pandehmën se Proti duhet të ishte varrosur
pranë Jaçintit. Rrasat duhet të jenë vendosur aty nga Papa Damasi i cili, pasi pastroi
dheun e shembur pranë vendvarrimit të shenjtorëve vëllezër, vuri aty rrasën në fjalë.
Përpjekjet për të hyrë në varrin e Shën Jaçintit përfunduan me rrënimin e tij të plotë.
Megjithatë u arrit të mblidhen një grusht eshtra, që dukeshin si të djegura, ndërmjet
të cilave, fije ari, mbetje të pëlhurës së çmuar, me të cilën ishin mbështjellur para
se të zbrisnin në varr. Eshtrat e martirit u mbartën menjëherë në Kolegjin e Propaganda
Fides, ndërsa studiuesit u bindën plotësisht për vërtetësinë e martirizimit të Shenjtorëve,
që ishte trashëguar nga breznia në brezni në formën e gojëdhënës. Sipas kësaj
gojëdhëne, që vjen deri në ditët tona, Proti e Jaçinti ishin dy vëllezër eunukë. Skllevër
të kthyer në fenë e krishterë, ata i përkisnin Eugjenies, bijë e fisnikut romak, Filipit,
prefekt i Aleksandrisë së Egjiptit. Si u kthye edhe vajza në fe të Krishtit, ia dha
dy vëllezërit Basilës, fisnike romake, e cila gjithashtu u kthye në fe të krishterë,
falë mësimeve që mori prej tyre. Të paditur nga i fejuari i vajzës, u martirizuan
të gjithë së bashku. Ndonëse zbulimi i varrit nuk solli të reja mbi jetën dhe
martirizimin e dy vëllezërve, për të cilët nuk kemi asnjë të dhënë, një gjë është
e sigurt: Proti e Jaçinti janë martirë e si të tillë i kremton sot Kisha katolike.