Të respektohet ekologjia: kështu u tha Papa organizatorëve të Pavionit të Vatikanit
në Expo-në e Saragozës.
(10.09.2009 RV)“Kur Zoti, përmes Krijimit, i dha njeriut çelësat e Tokës, shpresonte
se ai do të dinte ta përdorte këtë dhuratë të madhe, duke e shfrytëzuar me përgjegjësi
dhe respekt”. Me këto fjalë kritike për shfrytëzimin e botës nga njeriu, Papa Benedikti
XVI iu drejtua sot një grupi nga organizatorët e Pavionit të Selisë së Shenjtë në
Expozitën Ndërkombëtare të vitit 2008 në Saragoza të Spanjës, të cilët i priti në
audiencë në Kastelgandolfo. Kujtojmë se ekspozita pati si temë atë të ujit. “Sot,
më tepër se kurrë, nënvizoi Papa, duhet t’i ndihmojmë personat ta konsiderojnë Krijimin
shumë më tepër se një burim të thjeshtë pasurish për t’u shfrytëzuar nga duart e njeriut”. Në
fjalimin e shkurtër që u mbajti, Benedikti XVI i falenderoi organizatorët për ngritjen
e pavionit, i cili ka qenë njëri nga më të vizituarit e më të vlerësuarit. Shpresojmë,
tha Ati i Shenjtë, që ai të ketë ngjallur reflektimin e duhur mbi vlerën e ujit për
jetën e njerëzimit. Duke cituar enciklikën e tij të fundit, “Caritas in Veritate”,
Papa Racinger u ndal në marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë ndërmjet kujdesit për
natyrën dhe respektit për kërkesat etike të natyrës njerëzore. Kur respektohet ekologjia
e njeriut, edhe ajo ambientale përfiton, theksoi Ati i Shenjtë. Njeriu zbulon vlerën
e brendshme të natyrës, nëse mësohet ta shohë atë ashtu siç është në të vërtetë, shprehje
e një plani dashurie, që na flet për Krijuesin e për dashurinë e tij për njerëzimin.