2009-09-10 17:50:48

Shqipëri: gjendje kritike për banorët e pastrehë në fshatra të goditura nga tërmeti


(10.9.2009 RV)Situata në zonën e Dibrës vazhdon të jetë kritike, banorët e pastrehë në fshatrat të goditura nga tërmeti kanë nisur të ndjejnë vështirësitë e mëdha të jetesës nën çadra. Vijon puna e ndihmës për sistemimin e 7600 banorëve të dëmtuar nga tërmeti i fortë i datës së 6 shtatorit në qarkun e Dibrës. Shtabi i Emergjencës Civile, i ngritur në prefekturën e Dibrës, vijon punën e sistemimit dhe të strehimit të banorëve të zonës të dëmtuar si dhe të shpërndarjes së ndihmave materiale: veshje e ushqime për kapërcimin e situatës kritike.
Kujtojmë se nga tërmeti me magnitudë 5.2 Shkalla Rihter, me epiqendër në qarkun e Dibrës nuk ka patur të lënduar në njerëz, por janë konstatuar 975 shtëpi të dëmtuara prej tyre 150 të dëmutuara plotësisht në komunat Gjoricë, Shupenzë, Ostren dhe Trebisht, në qarkun e Dibrës.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka ngritur kampingje në tre komunat Gjoricë, Shupenzë dhe Zerqan, për banorët të cilëve u është shkatërruar banesa apo ka pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti. Por gjatë natës ato nuk janë shfrytëzuar, ose janë shfrytëzuar pak nga banorët e zonës. Arsyeja është se një pjesë e mirë e banorëve nuk kanë pranuar të vendoset në kampingje për mungesë të kushteve higjeno sanitare. Gjithashtu banorët nuk pranojnë që familjet e tyre, gratë dhe fëmijët, të ndajnë të njëjtën çadër me familje të tjera të zonës. Në kampingje ku duhet të rrinë gra dhe fëmijë nuk ka furnizim me ujë të pijshëm dhe banja, thonë banorët. Ata kërkojnë ngritjen e çadrave familjare nëpër oborret e banesave.

Banorët kanë preferuar të kalojnë natën e ftohtë nëpër oborret e tyre duke shtirë në tokë jorganë, dhe duke u mbuluar me plasmas. Burime zyrtare nga spitali i Bulqizës konfirmuan se me dhjetëra fëmijë të këtyre komunave kanë simptoma gripale dhe pleumonare të shkaktuara nga të ftohtit si pasojë e kalimit të netëve jashtë.Krahas Shtabit të Emergjencës Civile, edhe Karitasi i Kishës Katolike të Shqipërisë është duke ndihmuar banorët që janë dogitur nga tërmeti.







All the contents on this site are copyrighted ©.