2009-09-10 15:10:43

Sali Berisha prezanton qeverinë e re të Tiranës me 16 ministra.


(10.9.2009 RV)Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka prezantuar mbrëmë kabinetin e ri, disa orë pasi ai u dekretua nga Presidenti Topi si kryeministër i ri i vendit. Qeveria e re e Shqipërisë do të ketë 16 portofole ku janë përfshirë katër emra të rinj, ndërsa të tjerët janë ministra të qeverisë 'Berisha 1', por kanë ndryshuar dikasteret. Ministrat e rinj janë: Arben Imami, Ferdinand Xhaferri, Myqerem Tafaj dhe Spiro Ksera. Në këtë qeveri është vetëm një femër, Majlinda Bregu.
Kryeministri pranoi se ky është vetëm fillimi dhe balancat do të shkojnë në vend. Ai tha se kjo është qeveria e negociatave të gjata 2 mujore, por si përfundim e ka ndarë mendjen për emrat vetëm para pak minutash. Ndër emrat e rinj vërejmë se Berisha ka afruar bashkëpunëtorët e tij. Ministri i i ri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ishte këshilltar i Kryeministrit për arsimin dhe u bë deputet i qarkut të Tiranës. Arben Imami, shef i Kabinetit në qeverisë 'Berisha 1' si dhe doli deputet i PD në qarkun e Tiranës. Tani bëhet ministër i Mbrojtjes. Ferdinand Xhaferri, kryesoi listën e kandidateve të djathte në qarkun e Durrësit. Ai u rikthye në PD, pas nje largimi disa vjeçar tek partia e Pollos që tashme është shkrire. Spiro Ksera, që merr Ministrinë e Punës, u cilësua nga vete Berisha si një nga bashkëpunëtoret e tij më të vjetër. Ai u nda nga PBDNJ kur kjo e fundit doli në koalicion me PS. Ministrat e kabinetit qeveritar: Zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm Ilir Meta; Ministër i Drejtësisë Bujar Nishani; Ministër i Financave Ridvan Bode; Ministër i Brendshëm Lulzim Basha; Ministër i Bujqësisë Genc Ruli; Ministër i Mbrojtjes Arben Imami; Ministër i Transporteve Sokol Olldashi; Ministër i Arsimit Myqerem Tafaj; Ministër i Punes Spiro Ksera; Ministër i Kulturës Ferdinand Xhaferri; Ministër i Mjedisit Fatmir Mediu; Ministër i Shëndetësisë Petrit Vasili; Ministër i Ekonomisë Dritan Prifti; Ministër Shteti Genc Pollo dhe Ministre Integrimi Majlinda Bregu.







All the contents on this site are copyrighted ©.