2009-09-10 15:56:58

Papa Benedikti XVI do të takohet me artistët më 21 nëntor


(10.09.2009 RV)RealAudioMP3 Më 21 nëntorin e ardhshëm, Papa Benedikti XVI do të takohet me artistët në Kapelën Sikstina në Vatikan. Do të jenë të pranishëm piktorë, skulptorë, arkitektë, muzikantë, mjeshtër të teatrit dhe të kinemasë. Takimi u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, mons. Xhanfranko Ravazi, nga drejtori i Muzeve të Vatikanit, prof. Anxhelo Paoluçi dhe nga i ngarkuari i Departamentit mbi Artin e Fenë në Këshillin Papnor të Kulturës, mons. Paskuale Jakobone.
Që në një artikull për gazetën “L’Osservatore Romano”, drejtori aktual i Muzeve të Vatikanit, Anxhelo Paoluçi shpjegon se me këtë gjest, Ati i Shenjtë dëshiron të vazhdojë traditën e krijuar nga Papa Pali VI, i cili, sapo u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, deshi të takohej me artistët. Takimi i parë u zhvillua po në Kapelën Sikstine, më 7 maj 1964, datë e paharrueshme në marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe artit bashkëkohor. Fjalimi që mbajti atëherë Papa Pali VI propozon një doktrinë mbi estetikën, të destinuar të mbetet një nga faqet më të lavdishme në historinë intelektuale të katolicimit të 900-ës, shkruan Paoluçi.
“Duke u nisur nga vetëdija mbi prishjen, në dukje të pandreqshme, të marrëdhënieve ndërmjet Kishës dhe botës së artit e duke ofruar kushtet për një miqësi të re, Papa – kujton drejtori i Muzeve të Vatikanit – pohonte lirinë e artistit, respektin për forcën rinovuese të shprehjes dhe e bënte këtë me fjalë të ashpra kritike kundër institucionit, që përfaqësonte: “Ju kemi imponuar si rregull të parë imitimin – thoshte Pali VI – juve, që jeni krijues, ju kemi trajtuar si jo më keq, kemi pranuar surrogate, oleografi, vepra arti me pak vlerë, që kushtojnë pak, e kështu, përfunduam edhe ne në rrugë të dyshimta, ku arti e bukuria, por ç’është më keq, kulti i Zotit u shërbyen keq”.
Në fund, në faqet e “L’Osservatore Romano”-s, Anxhelo Paoluçi kujton se në atë dokument të paharrueshëm, Pali VI ngrinte në qiell misionin e artistit, i cili duhet ta bëjë të dukshme gjithçka është trashendente, e pashprehshme, e patregueshme me gojë, në liri të plotë, por edhe duke marrë përsipër përgjegjësinë e tij si krijues.
Përpjekja për t’u lidhur sërish me botën e artit u nënvizua sot nga kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, mons. Xhanfranko Ravazi, i cili vuri në dukje edhe një herë se dialogu ndërmjet artit e Kishës është bërë i vështirë:
“Arti ka shkuar drejt eksperimenteve gjithnjë e më të sofistikuara, nganjëherë edhe të pakuptueshme. Kërkimet e tij stilistike kanë qenë gati ekskluzive, qëllim në vetvete, autoreferenciale. Nganjëherë është orinetuar drejt provokimit, por sidomos e ka vendosur në një raft plot pluhur gjithçka përbënte kodin e madh fetar”.
Pikërisht këtë dialog të humbur dëshiron ta rimarrë sërish në dorë Benedikti XVI më 21 nëntorin e ardhshëm. Gjithnjë mons. Ravazi shpjegoi:
“Papa idealisht hedh batutën e parë, hap diskutimin. Si përgjigjen artistët? Duhet të fillojnë të përgjigjen me vepra. Do të donim edhe që këto vepra të kishin një farë suksesi e rezonance në gjirin e bashkësive të tyre kombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.