Me 10 shtator kalendari Kishtar përkujton Shën Nikollin nga Tolentino, rregulltar
agostinian
(10.09.2009 RV)Jeta e Shën Nikollit
nga Tolentino është një jetë urate, pendese e apostullati apo veprimtarie. Asket jashtëzakonisht
i ashpër e rigoroz me vetveten, por i butë e plotë mirëkuptim me të varfërit e të
sëmurët, Shën Nikolla nga Tolentino, të cilin Kisha e kujton sot, është i njohur si
apostulli i rrëfyestoreve e, në mënyrë të posaçme, për kujdesin që kishe ndaj shpirtrave
në Purgator. Nikolli lindi në vitin 1245 në Kastel Sant Anxhelo të Pontanos,
dioqeza italiane e Fermos, nga prindër, që dëshironin prej vitesh një fëmijë. Katërmbëdhjetë
vjeç hyri si novic apo dëshirtar, do të thotë pa detyrime e pa kushte, në Urdhrin
e oshënarëve të Shën Agostinit, në vendlindje. Më pas u pranua rregullisht në Urdhër
e, më 1274, u shugurua meshtar në Çingoli. Bashkësia agostiniane e Tolentinos
u bë shtëpia e tij nënë, e territori markixhan, me kuvendet e tij të shumta të Urdhrit
Agostinian, ku strehohej gjatë shtegtimeve të tij si predikatar, fusha e punës. Pjesën
më të madhe të ditës ia kushtonte lutjeve, në sa agjëronte vazhdimisht. Ishte një
asket gjithnjë me buzë në gaz, një pendestar që përhapte gëzim, kudo që shkelte. E
dëgjonin kur predikonte, e ndiqnin me vëmendje të madhe kur rrëfente ose kur fliste
në raste të ndryshme, dhe vërenin, të çuditur, se ishte gjithnjë me të njëjtin humor.
Kalonte nga tetë deri në dhjetë orë në lutje, ushqehej vetëm me bukë e ujë, e megjithatë
kur fliste, përhapte gëzim shpirtëror. Shumë njerëz vinin në rrëfyestoren e tij
nga larg. Gjunjëzoheshin të ngarkuar me mëkate, largoheshin të pasuruar nga besimi
i tij plot gëzim në Zotin. Gjithnjë i ndjekur nga zëra që flisnin për mrekulli, në
vitin 1275 u vendos në Tolentino, ku vijoi të jetonte deri në vdekje, më 10 shtator
1305. Shën Nikolla nga Tolentino mbeti në kujtesën e njerëzve, e në faqet e Martiriologut
Romak, si njeri i rreptë me vetveten, por i mëshirshëm me të tjerët; si rrëfyes, që
ia ngarkonte vetes pendesën, të cilën duhet ta bënin pendestarët që përmes Sakramentit
të Rrëfimit kërkonin pajtimin me Zotin dhe të afërmin. Pas vdekjes, 371 dëshmitarë
do të flisnin për mrekulli të shumta që bëri Zoti përmes Nikollit, i cili u shpall
shenjt në vitin 1446, në sa në bazilikën e Tolentinos, ku pushon në paqe, kishin nisur
prej kohe shtegtimet tek varri i tij e mrekullitë e Zotit, që vijojnë edhe sot e kësaj
dite me ndërmjetësimin e tij.