2009-09-10 17:52:51

Dhuna kundër grave. U mbyll në Romë konferenca Ndërkombëtare.


(10.09.2009 RV)RealAudioMP3 140 milionë gra nëpër botë janë viktima të abuzimeve fizike si gjymtime të organeve gjenitale, apo të dhunës psikologjike, seksuale e deri të skllavërisë.
Kjo është shifra tronditëse që u bë e ditur në Romë, gjatë punimeve dyditore të Konferencës Ndërkombëtare mbi dhunën kundër grave që u mbyll sot, organizuar në kuadër të G8. Dokumenti që u nënshkrua nga pjesëmarrësit përmbledhë një sërë masash konkrete që duhen marrë për ta luftuar këtë dukuri. Ky dokument do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të G8 të ministrave të jashtëm, në program për në fund të këtij muaji.

“Duhet ta ndjejmë veten përgjegjës që nuk është bërë sa duhet për afirmimin e lirisë, të dinjitetit dhe të barazisë e të të drejtave të grave”. Me këto fjalë presidenti italian Xhorxho Napolitano hapi dje punimet e kësaj konferencës që ishte organizuar me nismën e Ministrisë së Jashtme të Italisë.
Pjesëmarrësit që morën fjalën vunë në dukje se denoncimet që bëhen nëpër botë për përdhunimet, për dhunën brenda mureve të shtëpisë, për dhunën që ushtrohet gjatë konflikteve të armatosura, nuk janë veçse maja e ajsbergut.
Në konferencë morën pjesë përfaqësuese të grave nga Irani, Afganistani, Maroku, Kina, Arabia Saudite e Nigeria të cilat me fakte e shifra konkrete sollën dëshmi mbi gjendjen e grave nëpër këto vende.
Ja dëshmia e gjykatëses Marsha Bazel nga Afganistani:

Përgjigje: Unë drejtoj shoqatën “Afganistan Progressive Law Organization”, një shoqatë legale që ka si synim mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Shumica e popullsisë afgane përbëhet nga gratë. Ato janë 55 përqind. Kemi raste kur ndaj vajzave shumë të reja, të porsamartuara, ushtrohet dhunë jo vetëm nga ana e burrave por edhe nga të afërmit. Ne i nxisim gratë të dalin haptas, t’i denoncojnë këto raste. Por shpeshherë kur ato ngrenë krye, bashkëshortët i denoncojnë për kurorëshkelje, duke thënë se kanë ikur nga shtëpia me burra të tjerë. Pikërisht këtyre grave ne iu bëhemi krah dhe i ndihmojmë nga pikpamja ligjore. Fatkeqësisht janë ende shumë të pakta gratë që na drejtohen ne. Të tjerat nuk kanë guxim të vinë në zyrat tona sepse kanë frikë nga hakmarrjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.