2009-09-09 14:43:29

Sot me 9 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Pjetër Klaverin, meshtar


(09.9.2009 RV)Kisha sot me 9 shtator përkujton festën e Shën Pjetër Klaverit (25.6.1580 -8.9.1654), rregulltar jezuit, që shkriu jetën për zezakët, viktima të tregtisë së skllevërve.
“Aethiopum sempre servus” (përherë shërbëtor i etiopëve): kështu e quante veten Shenjti, që kremton sot Kisha katolike. Duhet kujtuar se asokohe etiopë quheshin të gjithë zezakët, të cilëve Pjetri vendosi t’ua kushtojë jetën, duke u vënë në shërbim të skllevërve, që kapeshin në Afrikë e shiteshin në Amerikën jugore. Në prill të vitit 1622, kur bëri kushtet e përjetshme në Granadën e Re, jezuiti i ri nisi edhe realizimin e planit të tij, për t’u bërë skllav i skllevërve zezakë.
I lindur në Barcelonë të Spanjës më 25 qershor të vitit 1580, hyri që i vogël në kolegjin e jezuitëve. Më pas vijoi studimet klasike në universitetin e drejtuar prej tyre, në kryeqytetin katalan, ku më 1604 bëri edhe kushtet e përkohshme.
Në vitet 1605-1608 studioi filozofi në Palma di Majorka. E këtu e ndihmuan shumë ‘leksionet’ që mori nga portieri, Alfons Rodriguez, tregtar nga Segovia i cili, si humbi familjen, nisi punën e re, të përvujtë, në portën e jezuitëve. Por shumë shpejt dhomëza e tij mori pamjen simbolike të auditorit e ai u bë mësues përshpirtërie, me të cilin këshilloheshin njerëz të ditur e të pushtetshëm e posaçërisht, nxënësit e rinj, si Pjetër Klaveri. Kushdo hynte në portineri i shqetësuar, dilte që aty krejt i qetë.
I nisi studimet e teologjisë në Barcelonë e i kreu në Kartagjenë të Kolumbisë, ku u shugurua meshtar më 1616. Këtu zbarkonin mijëra skllevër zezakë, pothuajse të gjithë të rinj, që plakeshin e vdisnin shpejt, për shkak të punës së rëndë e të keqtrajtimeve. Pjetër Klaveri hyri në botën e tyre e provoi ç’do të thotë vuajtje e dëshpërim. Kuptoi se Zoti e thërriste për t’u shërbyer pikërisht këtyre njerëzve shpresëhumbur.
Nisi jo vetëm të jetonte pranë tyre, t’i ushqente, t’i mjekonte e, sidomos, t’i respektonte, por edhe të luftonte për ta, për t’ua kthyer rishtas dinjitetin, pa të cilin nuk mund t’u fliste për Hyjin e për dashurinë e tij. Mësoi gjuhën angoleze, që e flisnin shumë prej tyre, e krijoi një grup përkthyesish, për t’u marrë vesh me të tjerët, që vinin nga vende të ndryshme të Kontinentit të zi. Por zezakët nisen ta kuptonin edhe pa pasur nevojë për fjalë, sepse ai jetonte si të ishte skllavi më fatkeq: mjaftonte ta shikoje në sy, për t’i besuar këtij njeriu, që dinte të lexonte shpirtrat.
U sëmur nga kolera, sëmundje të cilën e mbarti me duresën e skllevërve, duke iu nënshtruar plotësisht vullnetit të Zotit. Vdiq 74 vjeç e u shpall shenjt më 1888, njëherësh me Alfonsin Rodriguez, portierin e Majorkës.
*******
"Pjetër Klaver: prania e Zotit pranë skllevërve".
Mbi skelën e portit të Kartagjenës, qytet i Kolumbisë së sotme, një meshtar pret anijen që duhet të vijë nga Afrika e largët, nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik.
Atë Pjetër Klaveri e shkëput për një çast vështrimin nga horizonti, për të soditur portin, ku një mori anijesh ngarkojnë e shkarkojnë pasuri të mëdha: pëlhura të kushtueshme, ar, erëza e kakao: të gjitha këto ngarkesa janë burim i pashtershëm parash.
Pjetri psherëtin e i dridhet zemra, në sa vijon të presë me padurim anijen. Edhe ajo mbart një mall që kushton shumë, për fat të keq… Hambari i anijes është përplot me burra, gra e fëmijë, të flakur aty si kafshët. Mbarten nga Afrika, për t’u shitur në Amerikë. Pjetri rri aty e pret, sa herë merr vesh se do të vijë një anije me mall të tillë. Kur hyri ndër Jezuitë, e dinte tashmë se ç’do të bënte me jetën e vet: i kishte premtuar Zotit të bëhej skllav i skllevërve. Jemi në fillimet e shekullit XVII e as të krishterët më vullnetmirë nuk ia dalin dot t’i japin fund skllavërisë. Mbretëresha e Spanjës dhe Papa e ndaluan kthimin e indianëve të Amerikës në skllevër… por si rezultat, tregtarët e skllevërve ndërruan vend. U nisën për t’i kërkuar skllevërit në Afrikë.
E vetmja gjë që mund të bëhet tani për tani, është të ndihmohen këta njerëz kaq të pafat. Pas pak, kur anija e ngarkuar me zezakë ankorohet, Pjetër Klaveri ngjitet në bord. Zbret në hambar, ku takon njerëz të tmerruar, me sëmundje ngjitëse, e nuhat një erë të tmerrshme kufome: gjysma e skllevërve kanë vdekur gjatë shtegtimit. Pjetri shkon t’u çojë të gjallëve një fjalë ngushëllimi. Për ta është hera e parë që një i bardhë i trajton si njerëz. Pastaj i mjekon, para se të shiten... Me ndihmën e disa zezakëve, që flasin gjuhët e ndryshme të Afrikës (ai di vetëm frëngjishten) i ushqen e i shëron. U flet për Krishtin, që erdhi të shpëtojë botën. U tregon se para syve të Zotit nuk as skllav, as zotëri, por të gjithë njerëzit janë njëlloj bij të Hyjit. Shumë nga skllevërit bëhen të krishterë, kur mësojnë se Zoti e respekton dinjitetin e tyre si njerëz. Për ndihmën që u dha qindra mijëra skllevërve, në shekullin XIX Kisha e shpalli Pjetër Klaverin Shenjt dhe Pajtor të të gjithë njerëzve, që ua predikojnë Ungjillin afrikanëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.