2009-09-09 17:55:00

Përfundoi në Krakovi, takimi “Njerëz dhe fe”. Nga krerët e feve, thirrja për paqen, pa hakmarrje.


(09.09.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundoi mbrëmë me një lutje të madhe ndërfetare, konferenca ndërkombëtare “Njerëz e fe: Fryma e Asizit në Krakovi”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit e nga kryedioqeza e qytetit, ku Karol Vojtila qe ipeshkëv, para se të bëhej Papa Gjon Pali II. Propozimi për të krijuar një regjistër evropian ku të shënohen të gjitha episodet e racizmit ishte ndoshta pika kulmore e këtij takimi, të cilin e përshëndeti edhe Papa Benedikti XVI të dielën, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot. Thirrja për arritjen e paqes përmes vëllazërimit, miqësisë e dialogut ndërmjet popujve iu dorëzua edhe krerëve politikë, që merrnin pjesë në takim. Takimi i ardhshëm do të zhvillohet në Barcelonë të Spanjës, në vitin 2010.
Lutja për paqen, u kujtua mbrëmë, ndërsa në tribunë ndërroheshin përfaqësues të feve të ndryshme nga e gjithë bota, është themelore për botën. Le të vlejë një shembull për të gjithë: në vitin 1989, në Varshavë u bë një lutje e jashtëzakonshme për paqen. Pak muaj pas saj, ra Muri i Berlinit. Për besimtarët kudo në botë, u tha në Takimin e organizuar nga bashkësia e Shën Egjidit, historia nuk është rastësi, por edhe rezultat i lutjes.
E pikërisht lutja e djeshme u parapri nga marrshimi i heshtur i krerëve fetarë në kampin e përqëndrimit të Aushvicit, ku hebrenj, myslimanë, të krishterë, budistë e përfaqësues të feve të tjera përsëritën impenjimin e tyre kundër dhunës dhe urrejtjes racore. Por ç’duhet bërë që bota të mos bjerë më në kurthin e luftës? Përgjigjet në mikrofonin tonë, ish-ati shpirtëror i Bashkësisë së Shën Egjidit, ipeshkvi i Amelia-Narni-Ternit, imzot Vinçenco Palia:
Arti i paqes nuk përbëhet nga një gjest i vetëm dhe i mbyllur në vetvete. Artizani punon çdo ditë, duke vendosur një gur pas tjetrit. Ato që e bëjnë të qëndrueshme paqen nuk janë gjestet e mëdha, por kthimi i zemrave të çdo personi. Kjo është puna.
Para sprovave të mëdha, që tregojnë se në ç’pikë mund të arrijë urrejtja njerëzore, si mund të shmangim dëshirën për hakmarrje?
Na e shpjegoi rabini Israel Meir Lau kur tha se mënyra e vetme për ta çrrënjosur hakmarrjen është dashuria, takimi. Hakmarrja ka të njëjtën logjikë me urrejtjen e bëhet kështu një lloj fare e dhunës në fushën e jetës. Fatkeqësisht, në botën ku jetojmë, falja dhe miqësia janë të rralla. Është e lehtë të mendosh se lumturia arrihet duke mbrojtur vetëm vetveten, duke shkuar kundër të tjerëve. Por është ide e gabuar. Duke ardhur këtu, në ferrin e Aushvicit, kuptojmë se e vetmja rrugë është ajo që na ka mësuar Jezusi.







All the contents on this site are copyrighted ©.