2009-09-09 17:54:49

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: Të mos e lëmë veten në dorën e problemeve të përditshme. Fjala e Zotit është rruga e jetës.


(09.09.2009 RV)RealAudioMP3 "Të mos e lëmë veten krejtësisht në dorën e aktiviteteve, problemeve dhe të shqetësimeve të përditshme, duke harruar se Jezusi duhet të jetë vërtet në qendër të jetës sonë”. Kjo është thirrja që u drejtoi sot Papa Benedikti XVI besimtarëve të mbledhur në Sallën Pali VI në Vatikan për audiencën e përgjithshme të së mërkurës. Kësaj here, Ati i Shenjtë, që erdhi në Vatikan nga Kastelgandolfo, e përqëndroi katekizmin në figurën e oshënarit e të teologut të madh Shën Pier Damiani, i cili ka jetuar ndërmjet viteve 1007 e 1072 në Itali.
Papa e përshkroi atë që e quante veten “shërbëtori i fundit i murgjërve”, si personalitet të pasur dhe të ndërlikuar të Kishës së Mesjetës, një gjeni të teologjisë, me aftësi letrare jo të zakonshme, që ka shkruar faqe të paharrueshme dhe aktuale për bukurinë e Zotit, për dashurinë e Krishtit në Kryq, për vlerën e heshtjes së shpirtit. Por jeta e Shën Pier Damianit nuk u flet vetëm rregulltarëve e personave të shugurar, siç shpjegoi Benedikti XVI:
“Jeta e oshënarit është për të kulmi i jetës së krishterë, pasi murgu, i lirë nga lidhjet me botën, fiton “paradhënien e Shpirtit Shenjt e shpirti i tij bashkohet i lumtur me Dhëndrin Hyjnor”. Kjo është e rëndësishme edhe për ne sot, megjithëse nuk jemi murgj: të dimë të heshtim brenda nesh për të dëgjuar zërin e Zotit, të kërkojmë, si të thuash, një vend ku Zoti të flasë me ne. Mësimi i Fjalës së Zotit në lutje e meditim është rruga e jetës”.
Të njohura, shkrimet e Shën Pier Damianit mbi Kryqin e Krishtit e mbi jetën e oshënarit, reflektime që kthehen në një Rregull, për të formuar bashkëvëllezërit e tij kamaldolezë në shekuj deri në ditët tona:
“Bashkimi intim me Krishtin impenjon jo vetëm murgjërit, por gjithë të pagëzuarit. Gjejmë këtu një thirrje të fortë edhe për ne, që të mos e lëmë veten krejtësisht në dorën e aktiviteteve, problemeve dhe shqetësimeve të përditshme, duke harruar se Jezusi duhet të jetë vërtet në qendër të jetës sonë”.
Shën Pier Damiani punoi shumë për të përmirësuar ambientin kishtar të kohës së vet e dha një kontribut të çmuar për ta çuar Kishën drejt rolit të saj të natyrshëm për kujdesin e shpirtrave. Ai denoncoi ata ipeshkvij e abatë, që e kryenin detyrën si të ishin qeveritarë e jo barinj të Kishës. Murgu, i cili më vonë u bë kardinal e ipeshkëv i Ostias për t’iu bindur Papës, na la kështu një mësim të madh për mënyrën e të qenit Kishë. Siç theksoi Papa Racinger, është e rëndësishme jo vetëm që krejt Kisha të jetë e bashkuar, por që në secilin prej nesh të jetë i pranishëm universaliteti i Kishës dhe që shërbimi i një personi të vetëm të jetë shprehje e këtij universaliteti.







All the contents on this site are copyrighted ©.