2009-09-08 16:22:04

Për të promovuar të drejtat e njeriut duhet zhdukur analfabetizmi: thirrje e OKB-së në Ditën Ndërkombëtare të Alfabetizimit


(08.09.2009 RV)RealAudioMP3 Janë akoma 776 milionë analfabetët e rritur në botë, ndërsa 75 milion fëmijë nuk kanë akoma asnjë mundësi për të shkuar në shkollë. Ky është denoncimi që bën sot, në Ditën Botërore të Alfabetizmit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun, i cili u kërkon qeverive të impenjohen kundër kësaj plage, që prodhon veç të varfër e të mënjanuar nga shoqëria. Por cilët janë analfabetët e sotëm? Përgjigjet në mikrofonin tonë, zv.presidentja e Opamit (Veprës së Nxitjes së Alfabetizimit në Botë), Ana Maria Errera. Kujtojmë se kjo Vepër është themeluar nga një meshtar italian, don Karlo Muratore:
Kemi të bëjmë me persona që për arësye shoqërore, kulturore, ekonomike dhe politike jetojnë në skaj të shoqërisë. Të privuar nga e drejta për arësim dhe edukim, nuk kanë asnjë mundësi ta kapërcejnë gjendjen e përjashtimit nga shoqëria dhe të mjerimit në të cilin jetojnë.
Në enciklikën “Caritas in Veritate”, Papa uron që njerëzit të kenë më tepër mundësi arësimimi e vetë edukimi të synojë formimin integral të personit…
Është themelore të mos ndahet kurrë arësimimi nga edukimi global i personit, pasi ai që arësimohet, fiton kompetenca që shkojnë përtej shkrimit e leximit. Formohen njerëz në gjendje të mendojnë në mënyrë kritike e të marrin pjesë në jetën shoqërore e politike. Shpesh, mungesa e vullnetit politik për të promovuar të drejtën e arësimimit e ka bazën pikërisht tek dëshira për t’i mbajtur njerëzit në injorancë, gjë që i bën të paaftë të veprojnë në shoqëri. Një person i arësimuar është i lirë, është person me dinjitet, që e vlerëson vetveten, ka besim tek vetja dhe është në gjendje të arrijë pavarësi e kompetenca në jetë, është i vetëdijshëm për të drejtat dhe detyrat e veta, ka më tepër mundësi për të gjetur punë, për të përmirësuar të ardhurat familjare, për të shfrytëzuar asistencën shëndetësore dhe për të marrë pjesë në jetën politike të një vendi. Një person me shkollë është interpretuesi dhe protagonisti i historisë së vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.