2009-09-08 16:53:41

Në Dibër vijon puna për dhënien e ndihmës në zonat e goditura nga tërmeti. Nidhmon edhe Karitasi Shqiptar


(08.09.2009 RV)Në qarkun e Dibrës vazhdon puna për dhënien e ndihmës të dëmtuarve të tërmetit të fortë që ra të dielën. Sot zëvendësministri i brendshëm Ferdinand Poni tha se Shtabi i Emergjencës Civile i prefekturës së Dibrës po vijon pandërprerje punën për sistemimin e banorëve të zonës së dëmtuar. Të gjithëve po iu shpërndahen ushqime por edhe veshmbathje. Gjithashtu zëvendësministri tha se grupet e punës po merren edhe me vlerësimin e dëmit material që shkaktoi tërmeti.
Gjithnjë sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të qeverisë shqiptare, nga tërmeti 5.2 ballësh i shkallës Rihter, nuk ka patur viktima vetëm shtëpi të dëmtuara rëndë në fshatin Gjoricë, ku ishte epiqendra dhe në fshatrat Ostren, Shupenzë dhe Trebisht.
Sidoqoftë, Karitasi Shqiptar lajmëron se ndihmat janë shpërndarë deri tani vetëm në Gjoricë, ndërsa në fshatrat e tjera puna po ecën shumë ngadalë dhe situata është e rëndë. Natën që shkoi banorët e kaluan jashtë nga frika e lëkundjeve të reja. E në fakt sizmiologët kanë bërë të ditur se do të ketë përsëri lëkundje të tjera, ndonëse do të jenë më të lehta.
Dje në zonat e goditura nga tërmeti shkoi edhe ipeshkvi katolik i Rrëshenit me një grup pune nga Karitasi Shqiptar, i cili mori masat për të ndihmuar banorët e komunës Shupenzë. Më hollësisht mbi gjendjen, të dëgjojmë Violeta Prengën nga Karitasi Shqiptar…..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.