Më 8 shtator Kisha feston Lindjen e së Lumes Mari Virgjër, shenjë e bekimit të Zotit
që i dhuroi Jezusin njerëzve
(08.9.2009 RV)Sot me 8 shtator Kisha kremton festën e Lindjes të së Lumes
Mari Virgjër. Tradita e kësaj feste lindi në shekujt e parë në Lindje dhe ishte Papa
Sergji I, në shekullin e VII, ai që e shtini këtë festë në kalendarin liturgjik të
Kishës. Me përkujtimin e kësaj feste, që tradita kishtare e njeh me emrin “Të lindurit
e Zojës”, kremtojmë ditëlindjen e Virgjërës Mari, Nënës së Tënzot, në kraharorin e
së cilës u mishërua Jezu Krishti. Burimi kryesor i zanafillës së kësaj feste gjendet
në Ungjillin apokrif të shekullit të II e këndej ka një traditë shumë të lashtë. Joakimi
e Ana ishin të shtyrë në moshë, nuk arrijnë të kenë fëmijë e atëherë Joakimi ankohet
tek Zoti, i cili i kumton se do të ketë një foshnje, një vajzë. Ky është tregimi që
kemi në Ungjillin e Jakobit. Maria pastaj edukohet në tempull të Jerusalemit e pikërisht
afër këtij tempulli, në Mesjetë, kryqtarët kanë ndërtuar njërën nga bazilikat më
të bukura të Tokës së Shenjtë, pikërisht në përkujtim të Lindjes së Virgjërës Mari.
Lindja e Virgjërës Mari lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me ardhjen e Mesisë,
si premtim, përgatitje dhe fryt i shëlbimit. Agim që i paraprin diellit të drejtësisë,
Maria i paralajmëron mbarë botës gëzimin e lindjes së Shëlbuesit. Është, prandaj,
guri i kufirit ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re. Errësira e natës
tërhiqet, ndërsa nis të duket agimi i ditës së re, që na sjell lirinë në vend të robërisë
së ligjit të vjetër. Gjithë krijesa këndon nga gëzimi i kësaj dite, njerëz e engjëj
bashkohen për të marrë pjesë në kremtimin e liturgjisë së sotme. Është dita në të
cilën Krijuesi i gjithësisë ndërtoi tempullin e vet, dita në të cilën, përmes një
projekti të mrekullueshëm, krijesa bëhet banesë e zgjedhur e Krijuesit. Festa
e sotme, që shënon fillimin e shëlbimit tonë, na sjelltë bashkimin e paqen me ndërmjetësinë
e Vashës së Nazaretit. Krishterimi me emërtime të ndryshme e nderon Virgjërën
Mari dhe Atë ia paraqet besimtarëve si shembull e shkollë feje (besimi), shërbimi
e përkushtimi ndaj Zotit e ndaj të afërmit. Pse? Sepse “Virgjëra Mari është shenjtërorja
e gjallë e Fjalës së Zotit, Arka e Besëlidhjes së Re dhe të amshuar.” Koncili Kishtar
i Efezit (viti 431) në fakt e pohoi amësinë hyjnore të Marisë duke e quajtur Theotókos,
sepse prej Saj lindi Fjala, falë Saj u bë njeri Biri i Zotit, që jetoi mes nesh. E
duke mbërritur përmes shekujsh tek Koncili II Ekumenik i Vatikanit vëmë re se në këtë
Koncil Maria u shpall “fytyrë e Kishës e shembull i shkëlqyer i besimit dhe i dashurisë”,
duke nënvizuar kështu në mënyrë të veçantë qenien e saj shembull për Kishën. “Kisha,
gjatë gjithë jetës së saj, e mban me Nënën e Zotit një lidhje që në misterin e shpëtimit,
rrok të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe e nderon si nënë shpirtërore të njerëzimit
dhe ndërmjetësuese hiresh Hyjnore”.