2009-09-07 13:48:26

Presidenti i Shqipërisë Topi mesazh parlamentit të ri


(07.9.2009 RV)Bamir Topi mesazh parlamentit të ri. Ora 18:00 e pasdites së some shënon dhe hapjen zyrtare të punimeve të legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit të ri të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi datën 7 shtator për mbledhjen e parë të trupës së re parlamentare, në të cilën grupi parlamentar i Partisë Socialiste prej 65 deputetësh, siç është deklaruar tashmë, nuk do të marrë pjesë.
Rregullorja parlamentare përcakton dhe procedurat që ndiqen në mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit. Sipas saj, seanca hapëse drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat.
Më pas ndiqet procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit.
Ky Komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese.
Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend.
Më pas punimet e seancës hapëse të legjislaturës së re pasohen me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit.
Kandidati për Kryetar të Kuvendit propozohet nga të paktën 15 deputetë dhe një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat.
Në Kuvendin e ri për katër vitet e ardhshme priten ndryshime edhe në numrin e grupeve parlamentare. Kështu nga 10 grupe kuvendore, që funksionuan gjatë mandatit 2005-2009, në legjislaturën e re pritet të jenë vetëm tre të tilla, përkatësisht grupi i Partisë Demokratike, grupi i Partisë Socialiste dhe grupi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo e fundit në zgjedhjet e 28 qershorit mundi të sigurojë 4 deputetë, të cilëve do t'i bashkangjiten dhe 3 deputetë të tjerë për të krijuar grupin prej 7 deputetësh që kërkon rregullorja parlamentare.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit u shpall fitues koalicioni i djathtë "Aleanca e ndryshimit", i cili mundi të sigurojë 70 deputetë, i ndjekur nga koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" me 66 deputetë dhe koalicioni "Lëvizja Socialiste për Integrim' me 4 deputetë.
PD dhe LSI ranë dakord për të bashkuar votat në Kuvend dhe për të bashkëqeverisur vendin në katër vitet në vazhdim.
**********

Në një mesazhin drejtuar parlamentit të ri, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi është kujdesur të qëndrojë larg polemikave të forta që kanë shoqëruar zgjedhjet e 28 qershorit. Në mungesë të një raporti përfundimtar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, Topi nuk ka bërë asnjë vlerësim politik mbi zgjedhjet, duke vënë në dukje vetëm angazhimin e qytetarëve në ditën e zgjedhjeve, pjesëmarrjen e lartë dhe mënyrën civile e demokratike të sjelljes sic nënvizon presidenti. Ai ka shprehur "mirënjohjen e thellë për gjithë popullin shqiptar, i cili 28 qershorin e memorizoi si ditën e qytetarisë, të denjë për një vend anëtar të NATO s dhe kandidat për në Bashkimin Europian". Nga parlamenti i ri, Presidenti Topi kërkon që Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë çast drejt rrugës së zhvillimit duke kujtuar së vendi ka përpara sfida të shumta. "Duhet që të gjithë të punojnë bashkë, duke qëndruar larg interesave të ngushta në mënyrë që të forcohen themelet e qëndrueshme të një shoqërie demokratike". Në mesazhin e tij Presidenti Topi i kushton vend edhe rolit që parlamenti shqiptar do të duhet të luajë për të mbështetur konsolidimin e shoqërisë demokratike në Kosovë dhe njohjet e reja ndërkombëtare të saj si shtet i pavarur.







All the contents on this site are copyrighted ©.